Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar katër persona për armëmbajtje pa leje, duke u mbështetur në informatat e marra nga rrjetet sociale.
Hetuesit Rajonalë të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë, duke u mbështetur në informata të marra nga rrjetet sociale, ku persona të dyshuar në profilet e tyre ekspozonin armë, sot kanë realizuar një operacion bastisjeje, i cili ka rezultuar me arrestimin e katër personave të dyshuar, për armëmbajtje pa leje.
Operacioni i hetuesve policorë, pas marrjes së urdhëresës së Gjykatës themelore, është zhvilluar në tri lokacione të ndara në qytetin e Prishtinës, ku gjatë bastisjeve policia ka arritur të gjejë dhe të konfiskojë; një Revole , me mbishkrimin GAP,CAL,9mm, një Revole BLOW mini CAL 8mm, një pistoletë Compact Cervena Zastava 99, katër thika (një prej tyre ushtarake), një maskë e bardhë, 0.12 gram bimë narkotike që dyshohet të jetë marihuanë etj.
Policia njofton se personat e dyshuar janë; R. B mashkull, 22 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, L. B mashkull, 21 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, Q. S mashkull, 21 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, si dhe F. D mashkull, 18 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës.
Pas intervistimit me urdhër të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt, ndërkohë që janë iniciuar rastet, Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar i armëve, si dhe Posedim i narkotikëve (për njërin nga të dyshuarit). /GazetaExpress/