Aktuale

Kuvendi miratoi rezolutën për Haradinajn dhe pezullimin e dialogut

Kuvendi i Kosovës ka miratuar rezolutën e propozuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e harmonizuar me grupet tjera parlamentare, e cila kërkon lirimin e menjëhershëm të ish kryeministrit Ramush Haradinaj dhe pezullimin e bisedimeve me Serbinë deri në lirimin e tij.

Si rrallë herë deputetët e pozitës dhe opozitës u bënë bashkë për t’i dhënë mbështetje rezolutës në mbështetje të Haradinajt. Rezoluta mori 78 vota për, 1 kundër dhe asnjë abstenim.

Në fillim të seancën, shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj, u bëri thirrje subjekteve politike parlamentare që t’i lënë anash ndasitë dhe të bëhen bashkë në rrugën drejt forcimit të shtetit.

 

“Sot jam këtu të iu bëjë thirrje prapë ti lëmë anash ndasitë politike, ato të politikës ditore dhe përmes kësaj rezolute të dërgojmë sinjalin e duhur te miqtë, por me shumë të kundërshtarët tanë se jemi bashkë sa bëhet fjalë për cenimin e ekzistencës së historisë se nga kaluam dhe do të mbrojmë me çdo çmim rrugën për të forcuar shtetin tonë. Nëse sot nuk bëhemi bashkë atëherë nuk po bëjmë asgjë por po tregohemi të dobët dhe po i dërgojmë sinjale kundërshtarëve se mund të bëjnë çka duan me Kosovën dhe vlerat e saj”, tha Lekaj.

Por, shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Zenun Pajaziti, kërkoi nga grupet parlamentare që të mblidhen dhe të formulojnë një tekst të përbashkët në mënyrë që veprimet të jenë të përbashkëta dhe ta ndihmojnë Haradinajn në lirimin e tij.

 

“PDK shfrytëzon këtë rast të përsëris mospajtimet dhe shqetësimin për vazhdimin e ndalimit të Haradinaj. Konsiderojmë se tashmë është tepruar me gjithçka që ka ndodhur rreth tij. Shfrytëzoj këtë rast që të kërkoj që GP të mblidhen ta formulojnë një tekst të përbashkët që të dalim sot me një rezolutë të përbashkët. Kërkoj që veprimet tona të jenë të përbashkëta që të ndihmojmë përshpejtimin e kthimit të Haradinajt në Kosovë”, u shpreh Pajaziti.

Edhe homologu i tij nga LDK-ja Ismet Beqiri mbështeti kërkesën e Pajazitit që të harmonizojnë qëndrimet.

 

“Ne pajtohemi që sot të jetë një rezolutë do të bëjmë përpjekje me harmonizu do të ishte mesazh i mirë besoj për të gjithë ne dhe kërkoj të bëhet një pauzë të autorizohemi dhe të harmonizojmë një tekst për këtë rezolutë”,  tha Beqiri.

Ndërsa, në anën tjetër dy partitë tjera opozitare, Vetëvendosje e Nisma mbështetën projektrezolutën e propozuar nga AAK-ja.

Shefi i grupit parlamentar të VV-së Glauk konjufca, theksoi se qeveria është e nënshtruar dhe vazhdon dialogun me Serbinë pa kurrfarë kushti.

 

“Kemi pas politikë të qyqarllëkut dhe nënshtrimit të kësaj qeveria ndaj Serbisë. Nëse donë me tregu që ka qeveri ky vend dhe zotshpillëk më e pakta do të ishte që të kushtëzohet dialogu dhe të pezullohet deri në lirimin e Haradinaj. Prandaj ne e mbështesim rezolutën e AAK-së dhe qeveria si masë e presionit të kushtëzoj dialogun deri në lirimin e Haradinajt”, u shpreh Konjufca.

Edhe deputeti i Nisma për Kosovën Zafir Berisha, mbështeti projektrezolutën e AAK-së, duke vlerësuar se ka elemente që e bëjnë Kosovën serioze karshi Serbisë.

 

“Edhe Nisma e mbështetë këtë rezolutë dhe rezoluta ka elemente që na bënë serioz karshi Serbisë që vazhdon të jetë agresive në raport me Kosovën. Mazhoranca duhet ndryshoj qasje në raport me Serbinë dhe të fillojë të sillet seriozisht si shtet”, theksoi Berisha.

Pas pauzës dhe harmonizimit të rezolutës, përsëri shefi i deputetëve të AAK-së, Pal Lekaj lexoi rezolutën e përkrahur nga të gjitha grupet, e cila mori përkrahjen unanime.

Megjithëse, Konjufca pati vërejtje pas harmonizimit të rezolutës, duke thënë se u bë një kompromis nga partitë në pushtet  gjë që sipas tij e dobësoi pak rezolutën.

 

“Ky kompromis u bë me ndërhyrjen e pushtetit sepse këtu ajo çka ishte esenciale në rezolutë e mëparshme ishte që heqja e fletë-arresteve të jenë kusht, ky është halli i vërtetë i Kosovës, se Haradinaj është arrestuar për shkak që fletë-arrestet e Serbisë janë aktive, edhe pasnesër nëse lirohet Haradinaj, por fletëarrestet nuk hiqen ai mund sërish të ndalohet pas dy muajve nëse është duke udhëtuar diku. Edhe nëse nuk i ndodh Haradinajt, mund t’i ndodh atij tjetrit që është komandant i UÇK-së”, tha Konjufca.

Rezoluta e miratuar për Haradinajn:

Lirimi i pakusht i ish kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj të ndodh sa më shpejt dhe të konsiderohet detyrë primare shtetërore.

Të pezullohet procesi i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, deri në lirimin e ish kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj.

Qeveria e Kosovës të kërkojë nga BE-ja që të detyrojë Serbinë për t’i anuluar të gjitha aktakuzat dhe fletë-arrestet e lëshuara nga Serbia përmes Interpolit për shtetasit e Republikës së Kosovës

Qeveria dhe institucionet e tjera të Republikës së Kosovës, obligohen që të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme në mënyrë që të informojë të gjitha instancat ndërkombëtare se refuzon juridiksionin universal të Serbisë për krimet e pretenduara në tërë territorin e Jugosllavisë dhe konform kësaj të kërkoj lirimin e ish kryeministrit të Kosovës dhe kryetarit të AAK-së Ramush Haradinaj./KP/