Partia Demokratike e Kosovës ka mbështetur fuqishëm, nismën e presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, për ndryshimin e misionit të FSK-së në forcë ushtarake.
Anëtari i kryesisë së PDK-së Agim Çeku në një konferencë për media, ka thënë se partia e tij vlerëson lart iniciativën e presidentit Thaçi, i cili sipas tij i është përgjigjur obligimeve kushtetuese, si komandant suprem i FSK-së.
”PDK i jep mbështetje të fuqishme dhe të pa rezervë nismës së presidentit të Republikës së Kosovës për ndryshimin e rolit, misionit, detyrave dhe organizimit të FSK-së nga një forcë e sigurisë në një forcë ushtarake, në forcë mbrojtëse të republikës së Kosovës. PDK e vlerëson lart iniciativën e presidentit dhe mendon që presidenti i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi, i është përgjigjur pozitivisht në radhë të parë obligimeve dhe përgjegjësive të veta kushtetuese si president i republikës dhe si komandant suprem i FSK-së. I është përgjigjur pozitivisht zotimeve të veta si president që shumë shpejtë Kosova do ta ketë ushtrinë e vet. I është përgjigjur pozitivisht pritjeve të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, gjithë spektrit politik dhe gjithë atyre që ia duan të mirën Kosovës dhe popullit të Kosovës. I është përgjigjur pozitivisht kërkesave dhe nevojave të kohës dhe ka vlerësuar drejtë situatën e sigurisë në rajon dhe më gjerë”, tha ai.
E kjo sipas Çekut është dhe një përgjigje ndaj spektrit politik serb, të cilët vazhdimisht e kanë bllokuar transformimin e FSK-së në ushtri të Kosovës.
“Me këtë nismë presidenti i Republikës së Kosovës dhe ne të gjithë që po e mbështesim këtë iniciativë. Kuvendi, PDK dhe gjithë qytetarët e Kosovës, janë përgjigjur dhe spektrit politik serb, të cilët vazhdimisht e kanë bllokuar këtë transformim të FSK-së dhe vazhdojnë ta bllokojnë dhe vazhdojnë të deklarohen që Kosova nuk mund ta ketë ushtrinë e vet. Kjo nismë, kjo vendosmëri është përgjigjja më e mirë për ta sepse më në Kosovë, për atë çfarë bëjmë për fuqizimin e shtetit tonë, nuk kemi nevojë ta pyesim më Serbinë për asgjë. Me këtë iniciativë presidenti i Republikës së Kosovës edhe njëherë dëshmoi lidership të fuqishëm, dëshmoi vizion, dëshmoi vendosmëri, dëshmoi guxim, dëshmoi përgjegjësi dhe gatishmëri për të marrë përgjegjësi për veprimet e veta”, tha ai.
Çeku më tej tha se me krijimin e ushtrisë së Kosovës, po përmbushet një boshllëk i madh në fuqizimin e shtetit të Kosovës dhe se ky vendim i shpejtë në parlamentin e Kosovës, Kosovën do ta bëjë më të sigurt, me të mbrojtur, më të barabartë me të tjerët dhe do ta bëjë më krenare se sa që ishte pa ushtri.
Ndërsa anëtari më i ri i kryesisë së PDK-së, Kadri Kastrati njëherësh edhe ish-komandant i FSK-së tha se plani për zhvillimin e ushtrisë së Kosovës është i gatshëm dhe është i paraparë që të zhvillohet në tri faza.
“ Qysh në të gjitha rekomandimet që kanë dalë, ka dalë dhe plani për zhvillimin, apo plani i veprimit se si do të zhvillohet forca ushtarake dhe është në tavolinë. Plani është i gatshëm dhe është i paraparë që të zhvillohet në tri faza. Faza e parë, e dytë dhe e tretë. Ku pas fazës së dytë planifikohet dhe është e paraparë që forca ushtarake t’i arrijë kapacitetet operacionale dhe të bëhet një forcë, e cila do të jetë e gatshme, që t’i mbrojë interesat sovranitetin integritetin dhe interesin e qytetarëve të Republikës së Kosovës”, tha Kastrati.
Ndryshe, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, i ka dorëzuar sot kryetarit të Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli, Projektligjin për FSK-në, me anë të të cilit FSK-në e bën ushtri./KP





















