Aktuale

Limaj: Pushtetarët janë kthyer në kërcenin për vendin

Kryetari i Nisma për Kosovën, Fatmir Limaj ka deklaruar se Kosova ende ka mijëra të pagjetur derisa pushtetarët shkojnë dhe puthen në dialogun e Brukselit. Sipas tij, këta pushtetar janë kthyer në kërcenin për vendin sepse fatin e Kosovës e kanë lidhur me fatin e tyre.

Në përvjetorin e tretë të themelimit të Nismës për Kosovën, Limaj tha para simpatizantëve se ata ishin nismëtar të bashkimit të opozitës, ishin ata që nuk lëshuan pe dhe se deputetët e Nismës në Kuvend nuk pranuan shantazheve e joshjes duke i qëndruar besnik parimeve të veta.

Limaj shtoi se jo rastësisht kanë vënë slloganin “Ne mbajmë fjalën”, sepse ata mbajnë fjalën dhe nuk i thejnë parimet e tyre në dëm të Kosovës.

Ai tha se koalicioni qeverisës e ka bastarduar politikën në vend duke shitur mashtrimin si vlerë.

Limaj shtoi se po vjen koha se do të dihet kush janë hajnat e vërtetë dhe po vjen koha e çkapjes së drejtësisë.

Sipas Limajt, po vjen koha e drejtësisë dhe se ky shtet do të bëhet por pa ata që po qeverisin por me djemë e vajza të reja. /KP