Aktuale

Raundi i ri i bisedimeve, në mars?

Ende nuk dihet zyrtarisht se kur do të mund të ketë një raund të ri të bisedimeve në mes të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, por jozyrtarisht besohet se do të ketë edhe një takim në muajin e ardhshëm, njofton Klan Kosova.

Edhe mediat serbe raportojnë se pritet të ketë të paktën edhe një takim para zgjedhjeve Presidenciale.

Gjithsesi, Bashkimi Europain ende nuk ka dhënë një datë për takim të ri mes palëve, pos që ka njoftuar se është në kontakte të vazhdueshme si me Prishtinën ashtu edhe me Beogradin zyrtar.

Takimi i fundit mes palëve në Bruksel ka qenë me një shkurt.

Ky takim u pati përshkruar si i rëndë e i vështirë edhe nga vet Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

“Nuk ka qenë një takim i këndshëm dhe i lehtë, por me shumë vështirësi dhe i rëndë”, pati pohuar Thaçi si mysafir në Zona e Debatit në Klan Kosova.

“Vështirësi ka, ka edhe mosmarrëveshje, por synimi ynë ka qenë ulja e tensioneve dhe tejkalimi i vështirësive. Unë besoj në paqe dhe stabilitet, për çka edhe po dialogojmë e bisedojmë”.