Rajon & Botë

Britani, Theresa May mposht rivalët në testin e parë për partinë dhe postin e kryeministres

Sekretarja e brendshme britanike, Theresa May ka fituar në mënyrë bindëse raundin e parë të garës së brendshme për t’u bërë udhëheqësja e radhës e konservatorëve, e rrjedhimisht kryeministre e Mbretërisë së Bashkuar.

Ajo siguroi 165 vota nga 329 të hedhura prej parlamentarëve të Partisë Konservatore, e ndjekur nga Andrea Leadsom me vetëm 66 vota, ndërsa personi që e përmendte shpeshherë Shqipërinë gjatë referimeve të tij gjatë fushatës së referendumit, Michael Gove mori 48 vota.

Raundet e votimeve do të reduktojnë numrin e kandidatëve vetëm në dy, ku do të përballen në votimin e 9 shtatorit.

Ndër kandidatët, ministrja e Brendshme May dhe Stephen Crabb, sekretar për Punën dhe Pensionet, zhvilluan fushatën e tyre pro qëndrimit të Britanisë në BE, ndryshe nga Leadsom, ministre e Energjisë, Gove, ministër i Drejtësisë si dhe Fox, ish-sekretar i Mbrojtjes, zhvilluan të gjithë fushatë kundër qëndrimit në BE, apo pro “Brexit”-it.

Gara për udhëheqësin e partisë u nxit prej vendimit të Kameron për t’u dorëhequr nga posti i kryeministrit pasi populli britanik votoi në masën 52 për qind për t’u larguar nga BE-ja në referendumin e 23 qershorit.