Sot në komunën e Obiliqit nga kryetari i komunës Xhafer Gashi është pritur për një vizitë pune, Drejtori Rajonal i policisë së Prishtinës, nënkolonel Rexhep Sijarina, së bashku me delegacionin e tij.
Siç bëhet e ditur në një kumtesë për media nga komuna e Obiliqit, nënkolonel Rexhep Sijarina, ka njoftuar Gashin mbi gjendjen e sigurisë në rajonin e Prishtinës, konkretisht në Obiliq, duke vënë në pah praninë dhe tendencat lëvizëse të statistikave të krimit dhe dukurive të tjera antisociale.
Gjatë këtij takimi u bisedua edhe për gjetjen e mjeteve dhe metodave si dhe ndërmarrjen e masave të cilat do të ishin në funksion të luftës kundër kriminalitetit, ruajtjes së rendit dhe qetësisë, pa harruar edhe ndërmarrjen e veprimeve të cilat do ti kontribuonin koordinimit dhe ngritjes së kualitetit të bashkëpunimit të dyanshëm, bashkëpunim ky që gëzon respektin e të dy palëve.
“Në këtë takim u diskutua edhe për sfera të veçanta të punëve të përbashkëta të aspektit të sigurisë dhe një theks i veçantë këtu i u dha dinamikës së zhvillimeve të fundit, duke hedhur një rezyme të shkurtër edhe mbi aktivitetet për të ardhmen e afërt dhe në këtë kontest të dyja palët shprehën gatishmërinë e tyre dhe u inkurajua ngritja e bashkëpunimit edhe më tej”, theksohet në kumtesë./KosovaPress/