Aktuale

Shënohen rekorde të importit të energjisë elektrike

KEDS/KESCO ka njoftuar se gjatë muajit janar, prej kur filluan kushtet e rënda atmosferike, që quan në kërkesë rekorde për furnizim me energji, dhe meqë vetëm 52 % e kërkesës mund të mbulohej nga prodhuesi vendor, KEDS/KESCO ka shënuar edhe nivelin më të lartë të importit të energjisë elektrike.

Sipas KEDS-it, në dhjetor 2016, KEDS ka importuar mesatarisht rreth 1862 MWh në ditë ndërkohë që për 15 ditët e para të muajit janar 2017, sidomos pas rënies së njërit bllok të Kosovës A, kemi importuar mesatarisht 4179 MWh në ditë.

“Përveç sasisë, gjatë janarit edhe çmimi i importit ka qenë shumë i lartë, që shpesh ka shkuar deri në 340 EURO për megavat, si pasojë e kërkesës së lartë edhe në rajon që ka ardhur nga temperaturat e ulëta. KEDS/KESCO ka punuar vazhdimisht dhe me përkushtim që të sigurojë energji nga importi gjatë kësaj kohe të ftoftë, dhe në të njëjtën kohë falënderon konsumatorët që u janë përgjigjur thirrjeve për shfrytëzim të përgjegjshëm të energjisë”, thuhet në komunikatë./KosovaPress/