Aktuale

Mustafa shpreh përkushtimin e Qeverisë për tri komunat e Kosovës Lindore

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, priti sot në takim një delegacion nga institucionet lokale si dhe biznesmenë nga tri komunat e Kosovës Lindore, Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit.

Gjatë takimit, ku ishin të pranishëm kryetari i Bujanocit, Shaip Kamberi, nënkryetari i Preshevës, Xhelal Memeti, kryetari i Forumit për Zhvillim Ekonomik, Muharrem Salihu, koordinatori për Politikë të Jashtme, Aziz Aziri, si dhe  Muharrem Zejnullahu, është biseduar për fuqizimin e koordinimit në funksion të zhvillimit ekonomik, infrastrukturor, social dhe kulturor të tri komunave.

Kryeministri Isa Mustafa shprehu përkrahjen e Qeverisë së Kosovës për banorët, autoritetet lokale si dhe ndërmarrësit që veprojnë në këto tri komuna, me qëllim të avancimit të zhvillimit dhe fuqizimit të rolit të kësaj pjese të rëndësishme.

Përfaqësuesit e tri komunave të Kosovës Lindore, pasi falënderuan kryeministrin Mustafa dhe Qeverinë e Kosovës për përkrahjen dhe përkushtimin e treguar, folën për projekte konkrete të cilat do të ndihmonin në avancimin e proceseve dhe zhvillimin e gjithanshëm të këtyre tri komunave./KosovaPress/