Aktuale

Ish-Presidenti Sejdiu: Franca ta lirojë Haradinajn

Ish-Presidenti Fatmir Sejdiu ka thënë se Franca duhet ta lirojë kreun e AAK’së, Ramush Haradinaj, është koha e fundit që te Interpol dhe Europol të hedhin anash kërkesat e tilla që i adreson Serbia ndaj qytetarëve të Kosovës, sic janë flet-arrestet ndaj Haradinajt dhe ish-luftëtarëve tjerë të UCK’së.

Ky është reagimi i plotë i Fatmir Sejdiut: 

Arrestimi i ish Kryeministrit të Kosovës dhe liderit të AAK-së Ramush Haradinajt ka shqetësuar qytetarët e Kosovës dhe përgjithësit gjithë shqiptarët. Aq mē tepër, ky shqetësim rritet kur veprimet e tilla si ky i fundit në Francë janë përseritur disa herë ndaj njerëzve të Kosovës. Këto ndalime po bëhen në bazë të kërkesave të fabrikuara të Serbisë e cila ka tendencë të qëllimshme për destabilizimin e Kosovës dhe kompromitimin e drejtësisë ndërkombëtare.

Ish Kryeministri i Kosovës, siç dihet dy herë u shpall i pafajshëm nga drejtësia ndërkombëtare dhe tani ndalohet, çuditërisht në bazë të kërkesave serbe, kohësisht më të hershme se proceset gjyqësore nëpër të cilat z. Hardinaj ka kaluar dhe është shpallur i pafajshëm.

Është kohë e fundit të mbizotërojë arsyeja te institucionet ndërkombëtare (Interpol dhe Europol) dhe të hedhin anash kërkesat e llojit të tillë që i adreson Serbia ndaj qytetarëve të Kosovës.

Në këtë drejtim edhe institucionet relevante te Francës duhet të veprojnë duke e liruar z. Haradinaj.