Klinika e Syve në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për herë të parë gjatë vitit 2016-të ka kryer intervenime me laser në sy.
Këto operacione, të cilat nuk janë kryer më parë në institucionet publike të shëndetësisë në Kosovë u kanë mundësuar pacientëve që të mos kërkojnë shërim në vendet e rajonit, apo më larg, duke ulur shpenzimet e tyre, njëherit duke ulur shumë shpenzimet e donacioneve nga institucionet e shtetit për shërim të kosovarëve jashtë vendit.
Intervenimi i cili në QKU në vitin e kaluar kishte filluar me rreth 100 raste, gjatë vitit 2016 është bërë me sukses në rreth 1 mijë e 500 raste të tilla.
Drejtori i kësaj Klinike Florim Zejnullahu, ka thënë se viti 2016 në përgjithësi ka qenë i suksesshëm për Klinikën që ai udhëheq.
Në një intervistë për Kosovapress, Zejnullahu ka thënë se gjatë gjithë vitit 2016 në Klinikën e Syve është bërë një përparim i dukshëm në ngritjen e nivelit të shërbimeve shëndetësore.
“Viti 2016 ka qenë viti më i suksesshëm që nga paslufta në Klinikën e Syve është bërë një përparim i dukshëm në ngritjen e nivelit të shërbimeve shëndetësore duke e marrë parasysh se më herët në këtë klinikë nuk ka pas mundësi që të kryhen intervenimet me laser ose fakolmozofikim në heqjen e kataraktës kurse në këtë vit ne me sukses të plotë e përmbyllim me 1 mijë e 400 intervenime të tilla”, tha ai.
Zejnullahu është shprehur se një intervenim i tillë në të kaluarën iu ka kushtuar pacientëve nga 500 deri në 800 euro, derisa tash i njëjti kryhet në QKU pa pagesë, me blerjen e vetëm materialit shpenzues të cilin nuk ka arritur QKU ta siguroj mjaftueshëm.
“Më herët një vit paraprak kemi filluar me këtë procedurë, janë përfunduar 150 operacione ndërsa në këtë vit mund të them shkurt për 100 përqind e i kemi rritë kapacitetet e punës do të thotë intervenim, rezultati i këtij intervenimi është se pacienti kthehet shpejt në punë, nuk ka nevojë për penj, për dhimbje, është operacion praktikisht pa dhimbje, në klinikat private dhe në rajon çmimet janë shumë të larta për këtë operacion variojnë prej 500 deri në 800 euro sipas informacioneve që i kemi ndërsa këtu për shkak që QKUK nuk ka pasur buxhet të mjaftueshëm për sigurimin e materialit shpenzues është dashur që pacientët të sigurojnë materialin shpenzues ndërsa sa i përket mjekëve e kanë kryer detyrën e tyre në nivel më të lartë të mundshëm me motiv shumë të lartë dhe kjo rezulton me një sukses mjaft të madh këtë vit për këtë klinikë”, ka theksuar drejtori.
Mirëpo, shtimi i shërbimeve që i ofron kjo Klinikë, ka rritur edhe numrin e pacientëve që kërkuan ndihmë gjatë vitit të fundit.
Drejtori i Klinikës së Syve, Florim Zejnullahu, tha se gjatë vitit është dyfishuar numri i pacientëve që kërkuan trajtime mjekësore.
“Për shkak se po sa kemi filluar me këtë procedurë është rritur mjaft shumë numri i pacientëve ndërsa kapacitete e punë i kemi pasur diku dhjetë pacientë në ditë kurse këtë vit pretendojmë që t’i operojmë 20 pacientë në ditë për shkak e ka kërkesa mjaft të mëdha dhe lista e pritjes është paksa e zgjatur por kjo nuk ka ndodh vetëm për shkak të hapësirave, do me thënë po ka ndodhur edhe për shkak të problemeve me instrumente dhe probleme me ngarkesën në sallë të operacionit”, tha ai.
Klinika e Syve në QKUK është në finalizimin e përgatitjes për futjen e një shërbimi të ri, e që është trajtimi i gjakderdhjes në sy ose trajtimi i trupit të huaj në sy.
Ky intervenim deri më tani pacientëve u ka kushtuar rreth 5 mijë euro kurse Ministrisë së Shëndetësisë 1 milion e gjysmë euro në vit për trajtimin e pacientëve jashtë vendit.
“Kjo është kirurgjia më e avancuar e syrit ku një intervenim në sy kushton prej 3 deri në 5 mijë euro dhe është brengë shumë e madhe edhe për MSH edhe për neve, kjo procedurë do të thotë për këtë janë trajnuar katër mjekë por për shkak të problemeve me material shpenzues dhe disa problemeve teknike me mikroskop operativ nuk kemi mundur ta realizojmë deri më tash por kemi premtime mjaft të mëdha nga MASH nga menaxhmenti që këtë vit patjetër do të fillojmë me këtë operacion”, ka deklaruar ai.
Drejtori Zejnullahu ka shtuar se pas dy viteve kur edhe pritet të ndërtohet spitali i ri i Syve, kjo klinikë do të ketë edhe hapësirë të mjaftueshme për të gjithë pacientët. /KosovaPress/