Aktuale

Prokuroria kërkon dënim me burg për të dyshuarin për terrorizëm Fatos Rizvanollin

Prokuroria ka kërkuar dënim me burgim për Fatos Rizvanollin për vepra penale të terrorizmit.

Në fjalën përfundimtare prokurori ka kërkuar edhe konfiskim të pasurisë që është përdorur për kryerjen e vepres penale, trasmeton.

Sipas aktakuzës, Rizvanolli ka rekrutuar që nga viti 2011, kosovarë që të shkojnë për të luftuar për ISIS-in dhe Al Nusra në Siri.

“Provat kanë dëshmuar që Fatos Rizvanolli përpos ideologjisë ai ka bashkëpunuar ngushtë dhe ka qenë rekrutues i personave për organizatën ISIS dhe Al Nusra. Ai gjithashtu me vetëdije ka ofruar gjithë pasurinë e tij dhe ka dhënë të holla për personat që kanë shkuar për të luftuar krahë ISIS në zonat e konfliktit në Siri. Ndihmë ka dhënë duke u paguar bileta personave që kanë udhëtuar drejt Sirisë dhe ka paguar qira për xhaminë te Termokosi, që nuk ka qenë pjesë e BIK dhe ku janë strehuar persona të ndryshëm që kanë shkuar pastaj në zona të konfliktit”, ka thënë prokurori Elez Blakaj në fjalën e tij përfundimtare.

Avokati i të dyshuarit, Besnik Berisha, ka thënë se i pandehuri është gabimisht aty.

“Ne jemi këtu për të kërkuar drejtësi. Gabimisht i pandehuri është këtu. Prokuroria ka dështuar çfarëdo lidhje së Fatos Rizvanollit me blerjen e biletave”, tha Berisha.

Disa nga veturat e Rizvanollit, sipas aktakuzës janë përdorur edhe nga i shumëkërkuari Lavdrim Muhaxheri dhe i dënuari për terrorizëm Zekirja Qazimin. Seanca po vazhdon me fjalën përfundimtare të mbrojtjes së Fatos Rizvanollit /Koha.net/