Aktuale

Associated Press: Rusia në mes të tensioneve me NATO-n, po armatosë Serbinë

AP raporton se Rusia do të furnizojë Serbinë me avionë luftarakë, tanke dhe automjete luftarake, duke vënë në dukje se shumica e fqinjëve të Serbisë tashmë janë anëtarësuar në NATO.

AP, si edhe Reuters, tha se kryeministri serb, Aleksandar Vucic, ka thënë se Serbia do të mbetet ushtarakisht neutrale, pavarësisht armëve të reja nga Rusia.

Agjencia amerikane, megjithatë, vlerëson se ky veprim forcon potencialisht ndikimin e Moskës në Ballkan.

AP specifikon se gjashtë gjuajtë MiG-29, 30 tanke T-72 dhe 30 autoblinda janë duke ardhur në Serbi nga rezervat ushtarake ruse dhe vëren se aeroplanët duhet të riparohen pas dorëzimit në mars, që do të kushtojnë në mes të 180 dhe 230 milionë euro.

Agjencia e SHBA shkroi se Vucic, i cili të mërkurën siguroi marrëveshjen për armët gjatë një vizite në Rusi, tha se donacionet e Rusisë në mënyrë drastike do të forcojnë aftësinë mbrojtëse të vendit të tij.

AP po ashtu thotë se Serbia, edhe pse zyrtarisht aspiron për anëtarësim në BE, “po rrëshqet” kah aleati i saj tradicional, Rusia. Ndërkohë, Reuters raportoi se Vucic, gjatë një vizite në Moskë, tha se Serbia dëshiron bashkëpunim më të ngushtë ushtarak me Rusinë dhe theksoi neutralitetin e Beogradit, “në përpjekje për të balancuar këto marrëdhënie historike me aspiratat për t’u bashkuar me BE”.

Agjencia britanike pretendon se forcat e armatosura serbe gati 80 për qind mbështeten në teknologjinë sovjetike, e cila, siç vlerësohet, është trashëgimi e Armatës Popullore Jugosllave.

“Serbia po planifikon blerjen e pajisjeve nga Rusia dhe nga BE-ja për të konsoliduar forcën e saj ajrore, të rraskapitur nga luftërat ballkanike të viteve ‘90”, thotë Reuters.

Përveç kësaj, agjencia britanike raporton, duke cituar një deklaratë të Qeverisë serbe, se ministri rus i Mbrojtjes Sergei Shoigu, gjatë një takimi me Vucic, ka propozuar ushtrime trepalëshe taktike me Bjellorusinë dhe se Rusia është e gatshme për intensifikimin e bashkëpunimit me Serbinë në trajnime ushtarake./GazetaExpress/