Aktuale

KIZ: Fluks i vogël i qytetarëve të Drenasit për të votuar

Trendi i vogël i qytetarëve të Drenasit për të votuar, 77 raste të asistencës në qendra për vendvotime, fotografim i votës, votim i dyshimtë dhe tentim për votim të shumëfishtë, janë parregullsitë të cilat po e përcjellin procesin zgjedhor në këtë komunë.

Për të gjitha këto parregullsi, kanë raportuar komisionerët nga Koalicioni për Integritet Zgjedhor, që po monitorojnë  Drenasin.

Sipas të dhënave të deritanishme nga monitoruesit e  KIZ, deri në orën 11:00, dalja e qytetarëve në zgjedhje është 8 përqind, ku krahasuar me raundin e parë të zgjedhjeve, numri i qytetarëve që kanë dal në votime është dukshëm i vogël.

Deri në këtë periudhë raportuese, monitoruesit e koalicionit kanë evidentuar raste të caktuara parregullsi, por të cilat nuk kanë ndikuar në procesin e zgjedhjes.

Albulena Nrecaj nga KIZ, tregoi parregullsitë që janë bërë në  pesë qendra të vendvotimeve në Drenas.

 

“Në 77 vendvotime ose 77 raste, ka pasur votime me asistencë, kjo përfshin një numër të konsiderueshëm të qendrave të votimit dhe vendvotimeve. Gjithashtu, është evidentuar fotografim i votës në qendrën 0301x/01 dhe në qendrën tjetër 0302e/04r. Gjithashtu, parregullsi tjetër ka pasur edhe siç është votimi i dyshimtë, ku në qendrën 0310e/02r në fshatin Nekoc, një person është lejuar të votoj përkundër që në gishtërinjtë e tij është vërejtur prezenca e spray-it”, tha ajo

Nrecaj tregoi edhe për tentimit për votim të shumëfishtë. Ajo tha se ka pasur tri raste të këtij tentimit.

 

“Arsyetimi i anëtarëve të komisionit të vendvotimit,  ka qenë i pakuptim duke thënë se prezenca e spray-it ka ardhur, si rezultat i shpërndarjes së ushqimit apo kontaktit më dikën që tashmë ka votuar dhe këtë e kanë evidentuar vëzhguesit e koalicionit. Mungesa e formularit për ankesë është një detaj tjetër që është konsideruar si parregullsi, e cila qëndron në qendrën, 0301e/04. Gjithashtu, ka pasur tentim për votim të shumëfishtë, sipas vëzhguesve tonë në qendrën e votimit 0110e/01r, janë raportuar tri raste të tentimit të shumëfishtë, por qe një gjë e tillë nuk është lejuar nga komisioni i vendvotimit”, tha Nrecaj.

KIZ vlerësojnë se procesi vazhdon të jetë i qetë. Mirëpo, trendi i daljes në zgjedhje  sipas tyre është shumë i vogël. Megjithatë, koalicioni i fton qytetarët të dalin në zgjedhje./KP