Aktuale

Komersant: Lavrov shkon për të parë se kah e ka shikimin Beogradi

Ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov, zyrtarisht shkon në Beograd për të përgatitur vizitën e kryeministrit Dmitry Medvedev, shkruan Komersant.

Megjithatë, gazeta e Moskës vë në dukje se rezultatet e bisedimeve duhet të tregojnë shkallën në të cilën Beogradi është i gatshëm që të orientohet në politikën e jashtme kah Moska.

Gazeta shkruan se objektivat kryesore të vizitës zyrtare janë në inventarin e marrëdhënieve dypalëshe dhe përgatitjes së vizitës së Medvedev, e cila ishte planifikuar prej kohësh, por është shtyrë disa herë.

Komersant kujton se Ministri i jashtëm serb, Ivica Dacic, tha kohët e fundit se nuk ka asnjë “çështje të pazgjidhur”, dhe shton, duke cituar burime të paidentifikuara pranë qeverisë serbe, se Moska jo vetëm që këmbëngulë në përmbajtjen serioze të vizitës, por në fakt e lidhë me realizimin e çështjes së statusit të qendrës humanitare në Nish. Moska dëshiron që rusët të marrin imunitet diplomatik, analog me të drejtat që kanë ushtarët e NATO-s në territorin e Serbisë. Beogradi po e shtyn vendimin nga frika e problemeve në marrëdhëniet me BE-në, e cila ka kundërshtuar fuqishëm dhënien e statusit diplomatik, duke e konsideruar atë një hap në krijimin e një bazë ushtarake, shkruan e përditshmja ruse.

Gazeta thotë, duke cituar burime në Beograd, se ka pak gjasa që do të ndryshojë pozicioni i kryeministrit serb Vucic, gjatë bisedimeve me Lavrov, veçanërisht pasi BE vendosi të forcojë pozitën e Vucic.

Gazeta kujton se të martën, ndërsa Lavrov ende do të gjendet në Beograd, nga Brukseli pritet një vendim për hapjen e kapitujve të rinj në negociatat e BE-së me Serbinë.

Sforcimi i negociatave të BE-së me Beogradin, sipas burimeve të Komersant në qarqet diplomatike perëndimore në Ballkan, shpjegohet me “frikën e Brukselit se Serbia mund të ndryshojë kursin politik dhe mund të kthehet kah Rusia”.

Gazeta shkruan se për afrimin me Moskën angazhohet presidenti Tomislav Nikolic, ndërsa Vuçiq më shumë është për balancimin ndërmjet Rusisë dhe Perëndimit.

Por, meqë në pranverë skadon mandati i Nikolic, pa mbështetjen e Vucic nuk do të jetë në gjendje që të kandidojë përsëri. Kryeministri, me këtë mbështetje nuk po ngutet dhe nuk përjashtohet mundësia që ai vetë të kandidojë, shton Komersant.

Gazeta tha se burime të afërta me qeverinë serbe nuk përjashtuan që Lavrov, gjatë vizitës së tij në Beograd, t’a bëjë të qartë se për Moskën, Nikolic është kandidat absolutisht i pranueshëm. Moska ka leva ekonomike për të ndikuar te Beogradin, për shkak se për disa muaj po udhëhiqen negociata për dërgesën në Serbi të gjashtë avionëve MIG-29, në kushte që i pergjigjen palës serbe, përfundon gazeta./Express/