Mbylljen e seancës për mediat gjykatësi Arcadiuss Sedek e arsyetoi me faktin se sot është seancë ku vendoset nëse do të konfirmohet apo jo aktakuza.
Seanca gjyqësore në rastin ndaj ish-deputetit të PDK-së, Azem Syla, dhe 38 personave të tjerë, të dyshuar për krim të organizuar, është mbyllur për mediat.
NDËRLIDHUR
> Të Hënën Seanca Fillestare ndaj Azem Sylës > Prokurorja: Kqirajt dhe të Tjerët u Morën me Fajde > Azem Syla edhe dy Muaj në Paraburgim > Kërkohet Paraburgimi i Nuhi Ukës
Mbylljen e seancës për mediat gjykatësi e arsyetoi me faktin se sot është seancë ku vendoset nëse do të konfirmohet apo jo aktakuza.
“Nëse do të ketë shqyrtim kryesor seanca do të jetë e hapur”, tha gjykatësi Arcadiuss Sedek.
Prokuroria Speciale më 25 tetor ngriti dy aktakuza kundër 39 personave të ndryshëm, në mesin e të cilëve është edhe ish-deputeti i PDK-së, Azem Syla.
Aktakuza e parë, e parashtruar nga një prokuror ndërkombëtar i PSRK-së, është ngritur kundër 22 të pandehurve dhe përbëhet prej 46 pikave.
Të pandehurit akuzohen për veprat penale krim i organizuar, pastrim i parave, marrje e mitës, mashtrim i rëndë, mashtrim në detyrë, nxjerrje e vendimeve gjyqësore të kundërligjshme, keqpërdorim i pozitës zyrtare, legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar dhe evazion fiskal.
Aktakuza e dytë e ngritur nga i njëjti prokuror akuzon 17 persona për pastrim të parave.
Anëtarët e këtij grupi të organizuar kriminal kanë bashkëpunuar mes vete, secili me rol të caktuar, për t’i privuar Kosovës pronat shoqërore përmes veprimtarive kriminale, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve të tjera zyrtare, mashtrimin dhe veprimeve korruptive.
Sipas komunikatës së PSRK-së, palët e dëmtuara janë buxheti shtetëror i Kosovës dhe familjet serbe të Kosovës, të drejtat e të cilëve mbi parcelat e tokës ishin keqpërdorur nga ky grup i organizuar kriminal.
KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për seancat e zhvilluara në rastin ndaj Azem Sylës dhe të tjerëve. Dosja lidhur me këtë rast gjendet këtu.
KALLXO.com siguroi edhe aktakuzën prej 264 faqeve ndaj Sylës dhe të tjerëve.