Lideri i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, deklaroi se në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoni, partia e tij është fitues, si dhe shtoi se në Maqedoni përsëri u mbajtën zgjedhje të drejta, demokratike dhe kredibile në të cilat qytetarët në mënyrë të lirë votuan dhanë besimin e tyre.
Gruevski duke uruar qytetarët të cilët shfrytëzuan të drejtën e tyre të votës, shtoi se sipas rezultateve nga 88.61 përqind e votave të përpunuara, mbështetje partisë së tij i kanë dhënë gjithsej 434.051 qytetarë, ndërsa openentit LSDM mbështetje i kanë dhënë 415.258 qytetarë.
“Falënderojmë të gjithë votuesit, te ato komuna ku fituam, por edhe te ato ku humbëm zgjedhjet. Pa ata dhe pa votën e tyre nuk do të arrinim këtë fitore”, u shpreh ai.
Gruevski shtoi se në këto zgjedhje një befasi kishte te blloku shqiptar, duke theksuar se LSDM ka marrë një mbështetje të qartë nga komuniteti shqiptar në vend.
“Është koha e formimit të koalicionit dhe e formimit të Qeverisë në Maqedoni. Kriza patjetër duhet të përfundojë dhe Maqedonia të ecë përpara. Ky do të jetë qëllimi ynë kryesor në ditët dhe javët e ardhshme, kriza në Maqedoni të përfundojë me këto zgjedhje dhe vendi të ecë përpara”, tha Gruevski.