Aktuale

Mustafa: Muri në veri trajtohet në bazë të ligjit, jo muskujve

​Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka deklaruar se muri në veri të vendit, do të trajtohet nga organet kompetente sipas ligjit dhe jo sipas muskujve.

Sipas tij, nuk ka nevojë që tani të merren qëndrime pompoze politike, që po ndodh diçka e jashtëzakonshme, pasi që kjo çështje duhet të rregullohet me ligj, e jo me muskuj.

 

“Çështja e murit do të trajtohet mbi bazën e ligjit. Ne s’do qesim gjoksin dhe s’do t’i tregojmë muskujt sepse muskujt  dhe gjoksin e qet ligji. Ne duhet të vijmë situatë që të respektojmë ligjin dhe ata duhet ta respektojnë ligjin në këtë aspekt. Ministria e Mjedisit është duke vepruar me inspektoratin e vet atje që të konstatojë gjendjen. Ministrja për Dialog, po ashtu ka kontakte me BE-në, në mënyrë që të vërtetohet se a është ajo në harmoni me projektin të cilin BE e realizon atje sepse është projekt i BE-së. Prandaj, në këtë rast çdo gjë do të shkoj sipas ligjit”, tha ai.

Ndërkaq, ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj tha se Serbia ka një mur politik në raport me Kosovën.

 

“Sa i takon murit, Serbia ka ndjek në raport me Kosovën, por dhe vendet tjera të rajonit një politikë të mureve dhe vijave territoriale dhe territoreve në këto 25 vitet e fundit. Ju jeni dëshmitar që kjo politikë ka dështuar. Serbia ka një mur politik, në raport me Kosovën, që është mur politik i BE-së, pa e njohur Kosovën, Serbia nuk mund të integrohet në BE”, tha ai.

Sa i përket shkuarjes në inaugurimin e urës ndërmjet komunës së Leposaviqit dhe Zveçanit, Mustafa tha se nuk u pengua nga askush por së ndërruan rrugë për të mos u ndeshur me protestuesit. Ai shtoi se atje ka shkuar rrugëve të Kosovës, pasi që ka shkuar në territor të Kosovës, e jo Serbisë.

 

“Askush s’na ka dalë përpara, s’na ka penguar, ne kemi marrë informatë rrugës se disa qytetarë kanë dal dhe po vënë pengesa në rrugë dhe ne kemi pyetur organet tona të sigurisë se kah mund të arrijmë atje. Ata kanë zgjedhur rrugën, sepse janë ata që e bëjnë atë punë. Nuk jam unë si kryeministër dhe ne kemi shkuar pa asnjë pengesë në vendin, në të cilin është inauguru ura dhe mendoj se është themelore. Unë nganjëherë dhe në shtëpinë time kur shkoj prej këtu, kur ka pasur protesta ose kur ka pasur qytetarë, kam pyetur se kah mund të shkoj, në mënyrë që mos të ballafaqohemi me njerëz. Sepse nuk kemi nevojë të krijojmë konflikte rrugës”, tha ai./KP