Aktuale

Kundër demarkacionit edhe një Parti në Qeverinë e Kosovës

Lëvizja për Bashkim ka dalë kundër shënimit të vijës kufitare me Malin e Zi. Deputeti i kësaj partie, Raif Qela ka thënë se janë kundër për shkak se procesi ka qenë jotransparent dhe nuk ka pasur sqarime të mjaftueshme lidhur me shënimin e vijës kufitare me malazezët.

Lëvizja për Bashkim e udhëhequr nga Ministri Valon Murati e ka të qartë se do të votojë kundër demarkacionit me Malin e Zi, proces ky i udhëhequr nga Murat Meha.

Deputeti i vetëm i kësaj partie në Parlament, Raif Qela ka thënë se nuk paragjykojnë se a është mirë apo keq demarkacioni, por në këto rrethana do të votojnë kundër shënimit të vijës kufitare me Malin e Zi.

“Derisa nuk i dijmë hollësitë për metodat që janë përdorur për caktimin e demarkacionit, derisa i gjithë procesi ka qenë jotransparent unë si deputet dhe Lëvizja për Bashkim ka qëndrim kundër ratifikimit të demarkacionit në këto rrethana”, ka deklaruar Qela, për Express, të shtunën.

“Nuk paragjykojmë se është mirë apo është keq, por, procesi ka shkuar me mungesë të madhe të transparencës, procesi nuk u është shpjeguar si duhet deputetëve se çka duhet të votojnë, unë do të votoj kundër”, ka shtuar ai.

Deri më tash, edhe disa deputetë të PDK’së e LDK’së, parti që qeverisin me Kosovën, kanë dalë kundër këtij procesi. Në mesin e tyre edhe Shpejtim Bulliqi, Adem Grabovci e Vjosa Osmani.

Për këtë çështje, AAK, VV e NISMA kanë mbajtur edhe protesta, për të kundërshtuar shënimin e vijës kufitare me malazezët. Kanë akuzuar Qeverinë e Kosovës se i ka falur rreth tetë mijë hektarë malazezëve.