Në kuadër të fushatës “Mos gjuaj, por duaj”, e cila synon të rrisë ndërgjegjësimin sa i përket rrezikut të mbajtjes dhe përdorimit të jashtëligjshëm të armëve të zjarrit, Saimir Tahiri këtë herë ka shigjetuar artistët shqiptarë.
Sipas ministrit të Brendshëm, shoqëria jonë duhet të refuzojë të pranojë modelin e përdorur nga artistët që shfaqen në klipet e tyre me armë.
“Ju jeni përdorues intensivë të të drejtave sociale. Edhe mua më ka rënë në sy se si të rinj apo të reja, shpesh artistë, akoma më shpesh këngëtarë, venerohen si model pozitiv edhe kur i shfaqen publikut me një armë në dorë. Në fakt, ky është një problem jo i vogël i shoqërisë për sot dhe për gjithçka duam të bëhemi nesër.
Unë do pëlqeja dikë që do i bënte jehonë një libri, një kënge, një pikture, më shumë sesa armës, dhunës apo konfliktit. Sot, për fat të keq, modelet sociale, qoftë në klasën tuaj, qoftë në shkollën tuaj, rrjetet sociale, pjesë e modeleve tona janë edhe ata që mundohen të jenë tendencë apo trendy i ditës duke mbajtur një armë. E në fakt, arma nuk është pjesë e burrërisë, më shumë se dija, kultura, toleranca.
E ne këtë duhet, bashkë me ju, t’ua transmetojmë të gjithë të rinjve e të rejave. Ne duhet të bëjmë gjithçka është e mundur sot, në mënyrë që ju të jeni të sigurt e të garantuar larg kërcënimit të frikës, larg kërcënimit të dhunës, të konfliktit, armëve pa asnjë dyshim”, është shprehur ministri Tahiri. Për këtë fakt ka reaguar edhe aktori Bes Kallaku në Instagram. /Gazeta Shqiptare/
