Prokuroria e Tiranës fillon hetimet për rreth 500 dosje pensionesh, në të cilat dyshohet se janë kryer mashtrime dhe falsifikim
Procedimi penal është regjistruar ditët e fundit nga Prokuroria e Tiranës, ndërsa pritet që pjesa më e madhe e dosjeve të dyshuara të verifikohen rast pas rasti.
Lajmi është bërë me dije nga burime të Prokurorisë së Tiranës, të cilat thanë për gazetën “Panorama” se hetimi në fjalë ka nisur pas kallëzimit të bërë nga vetë sektori i Auditit në Institutin e Sigurimeve Shoqërore.
Burime në Prokurori kanë thënë se pjesa më e madhe e dosjeve të dyshuara u përkasin qytetarëve nga Tirana, që dyshohet se kanë përfituar pension në mënyrë të padrejtë.
Këtë besohet se e kanë realizuar me anë të dokumenteve false, që pritet të ekspertohen dhe verifikohen rast pas rasti në dosjet e dyshuara. Nga ana tjetër, prokuroria pohon se në kallëzim ka dyshime edhe për raste të marrjes së padrejtë të pensioneve të veçanta, duke sjellë për shembull pensionet e minatorit.
Mësohet se shkeljet nga Auditi janë evidentuar gjatë kontrollit të kryer për dosjet e pensioneve gjatë pesë viteve të fundit.
Disa vite më parë, sektori i Hetimit të Krimit Ekonomik në Policinë e Tiranës zbuloi një skemë të marrjes së pensioneve nga persona të vdekur, apo pensione për kategori të caktuara kur përfituesit nuk kishin fare dijeni për paratë që kaloheshin në emër të tyre.