Arrestimi i Fatos Lubonjës, në atë kohë vetëm 22-vjeçar dhe i porsadiplomuar, u bë gjatë kohës që ai kishte shkuar në Lezhë pranë prindërve të tij, së bashku me bashkëshorten (e bija e Fadil Paçramit), dhe dy vajzat e vogla.
Ashtu si dhe ndaj Llazi Lubonjës, Hetuesia e Tiranës e ka pyetur Fatosin edhe lidhur me shkrimtarin Ismail Kadare, madje ajo gjë ka dalë dhe në procesin gjyqësor ndaj tij, të zhvilluar në janarin e vitit 1975.
Po të kemi parasysh dokumentet e vitit 1973, ku në drejtim të Komitetit Qendror të PPSH-së dhe personalisht te Ramiz Alia dhe Enver Hoxha, janë dërguar mjaft relacione, raporte, informacione, letra dhe denoncime ndaj shkrimtarit Ismail Kadare, jo vetëm nga institucionet zyrtare, por dhe nga individë të veçantë, ka qenë më se normale që Hetuesia ta pyeste Fatos Lubonjën edhe për Kadarenë.
Shto këtu dhe faktin se Kadareja kishte pasur miqësi me Todi Lubonjën, edhe për shkak të funksioneve zyrtare dhe ambientit shoqëror në rrethet artistike. Por, që në krye të herës duhet thënë se Fatos Lubonja, si rrallë person tjetër i arrestuar dhe i dënuar para viteve ’90 për arsye politike, i ka pranuar të gjitha akuzat, si në procesin hetimor, ashtu dhe në atë gjyqësor, edhe pse ato kanë qenë tejet të rënda.
Dhe po kështu, duke përjashtuar akuzën e “atentatit në tentativë” ndaj Enver Hoxhës, që i atribuohej babait të tij, Todi Lubonjës, dhe xhaxhait, Llazi Lubonjës, duhet thënë se të gjitha akuzat e tjera ndaj tyre qëndronin dhe ishin të gjitha të vërteta. Këtë gjë e ka pranuar vetë Fatosi publikisht, në një emisionin televiziv enkas për të, në vitin 2014. (“Kontrata”, Tv Agon Channel).
Pra, me pak fjalë, Fatos Lubonja dhe kryesisht babai i tij, Todi, duke përfshirë dhe pjesën tjetër të familjes, jo vetëm se ishin me prirje liberale, për të cilat dhe u akuzuan e më pas u dënuan, por duhet theksuar se ata kishin një disidencë në kuptimin e plotë të kësaj fjale. (Familja Lubonja, Todi, Liria, Agimi, e treguan atë gjë edhe gjatë viteve të internimit, ku nuk bënë asnjë kompromis me regjimin).
Dhe po ashtu Fatosi, gjatë gjithë periudhës së burgut, ka mbajtur një qëndrim stoik të jashtëzakonshëm, gjë të cilën e dëshmojnë të gjithë bashkëvuajtësit e tij.
Origjina
Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Dosja hetimore ndaj Fatos Lubonjës. Nr. 2370A. Viti 1974- 1975.
I PANDEHURI FATOS
Unë di tri gjuhë të huaja, anglisht, frëngjisht dhe italisht. Dhe shkaqet që më çuan mua në këtë rrugë janë librat që unë lexoja, të cilat m’i jepte babai, i cili ka pasë për qëllim që unë të formohesha vetë.
Kur u dënova dhe shkova në Laç, unë rashë në pesimizëm dhe këto libra që unë lexoja tashti ngjitën te mua, sepse në këtë kohë unë kam qenë në një gjendje të rëndë shpirtërore, kurse po unë edhe më parë lexoja këto libra, por tek unë nuk ngjisnin, sepse dhe gjendja ime shëndetësore në atë kohë ka qenë e mirë.
Mbi pyetjen e prokurorit, i pandehuri Fatos tha se: Tridhjetë faqet e para pa titull i ka lexuar dhe babai dhe do ta botoja… Unë mendoja që shkrimtarët të shkruanin më lirë, e këtë nuk e bënin se ka diktaturë, ata nuk kanë fushë veprimi. Këtë gjë ma ka përkrahur dhe babai.
Me shokë kam folur për përmbajtjen e një libri me karakter reaksionar dhe për ato që janë në qarkullim. Unë i kam folur Besnik Sinanit për librat e Hitlerit që isha duke lexuar… Si u dënua babai, ai më thoshte se që kur ishte në gazetë, nuk shikohej mirë nga udhëheqja. Tha se këtë dënim ia ka dhënë vetëm udhëheqësi kryesor, pa u marrë vesh me shokët e tjerë, se vendimi i dënimit qe shumë i rëndë.
Më ka thënë babai se Lenini shkruante një letër dhe thoshte që Stalini të mos zgjidhet se është diktator, dhe pastaj bënte aluzion për shokun Enver e për Stalinin. Ay, babai tim, më ka folur se kishte simpati si shkrimtar për Ismail Kadarenë, kurse për të tjerët thoshte se ata janë të paaftë dhe këto shkrime i bëjnë nga frika. Mua më lejonte babai që të lexoja dhe libra dekadentë.
Shkrimet do t’i mbaja si një krijimtarinë time dhe kur të ndryshonte situata, që të mos kishim më frikë për të më arrestuar babanë, do t’i botoja. Babai pas dënimit ka biseduar me mua. Babai më ka thënë se në rast se nuk më transferojnë, do më mbrojë Ramiz Alia dhe po të vendosë shoku Enver, mua do më heqin se ai nuk më do. Babai më ka thënë se përveç Ismail Kadaresë, shkrimtarët e tjerë shkruajnë sa për të qenë brenda, se kanë frikë dhe maten shumë kur shkruajnë se i futin brenda.
Më ka thënë se Enver Hoxha është diktator dhe ai nuk ka qenë dakord me këto. Babai më ka thënë se duhet të pranojmë realitetin se çfarë gjendjeje ekonomike dhe materiale kemi ne. Duhet të lidhemi me botën e jashtme, qoftë nga ana ekonomike dhe kulturore, kurse këta e kanë mbyllur brenda. Lidhur me dënimin e tij, babai më ka thënë se Udhëheqësi i Partisë i ndante në të urtët dhe në të ashprit.
Babai thoshte se shoku Enver është influencuar nga të urtët, dhe babai nuk fliste për kontradikta në Udhëheqje. Babai në letër më shkruante gjëra armiqësore pikërisht për shokun Enver, dhe thoshte se ka humbur ekuilibrin e trurit dhe të mendjes…
Mbi pyetjen e Prokurorit, i pandehuri tha: pseudonimin ‘dajre’ ia kishte vënë sepse; në 1 Maj, shoku Enver i bënte duart sikur i binte dajres, dhe neve e diskutuam si dajrelli… Kur vate babai në Lezhë, unë shkova e takova dhe ai më tha se shoku Enver, duke qenë i sëmurë, ka bërë dhe gabime e ndryshe foli në Mat e ndryshe në Plenumin e katërt.
Ai mendonte që shoku Enver nuk duhet të shante në Plenumin e katërt, por duhet të kritikonte. Babai më tha që më dërguan këtu në punë fizike për të ngordhur, por përkundrazi tha unë do të rroj që të shikoj.
Babai ka bërë disa shkrime të tij, të cilat i ruante si kujtime të jetës së tij, dhe mua më ka thënë se do vijë koha qe dhe neve të na shikojnë më ndryshe, se me kalimin e kohës do të zbuten. Babai tha se materiali i duhej ta paraqiste kur të ndryshonte vija e Partisë, sepse ai nuk ka qenë armik i partisë, por ka punuar për popullin…/Panorama