Ekonomi

Ndërtimi i objekteve të IBM-së nis në nëntor dhe dhjetor

Ndërtimi i objekteve të përhershme të Menaxhimit të Integruar të Kufirit (IBM) mes Kosovës dhe Serbisë, do të fillojë gjatë muajit nëntor dhe dhjetor të këtij viti, si rrjedhojë e marrëveshjes në mes të delegacioneve të këtyre dy shteteve të nënshkruar në Bruksel në vitin 2014.

Ministrja për dialog, Edita Tahiri, ka bërë të ditur për KosovaPress se ndërtimi i objekteve të përhershme të IBM-së ka rëndësi të madhe, sepse me ketë proces rrumbullakohet zbatimi i plotë i Marrëveshjes së IBM-së dhe i Protokollit Teknik, si dhe praktikisht të dyja shtetet do të bashkëpunojnë në fushën e Menaxhimit të Integruar të Kufirit sipas standardeve më të larta të BE-së.

Sipas saj, finalizimi i marrëveshjes për ndërtimin e këtyre objekteve është kontribut i të gjitha palëve, që do të mundësojë lehtësimin e lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave, rritjen e kualitetit dhe sigurisë së kontrollit kufitar, dhe është në funksion të përmbushjes së kritereve për liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Me marrëveshjen e IBM-së në Bruksel në vitin 2011, tani ka ardhur koha për ndërtimin e objekteve të përhershme në gjashtë pikat kufitare me Serbinë, me gjithë infrastrukturën e nevojshme përcjellëse sipas standardeve më të larta të Bashkimit Evropian. Ne do të jemi nikoqir të tre pikave kufitare, në Merdarë, Bërnjak dhe Mutivodë, ndërsa për tre pikat tjera pala serbe. Këto pika të përhershme kufitare do të ndërtohen me financimin e Komisionit Evropian me një shumë prej rreth 21 milionë euro”, ka thënë Tahiri.

Ajo nuk ka precizuar kur do të përfundojnë punimet e këtyre objekteve, duke thënë se kjo varet nga dinamika e punëve të cilat do t’i zhvillojë UNOPS-i.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, theksoi se ndryshimet pozitive të arritura në veri të vendit janë rezultat i drejtpërdrejtë i dialogut të Brukselit, edhe pse siç tha ai, mbetet akoma shumë për t’u bërë dhe për të krijuar një gjendje çfarë vërtetë dëshirohet.

Duke folur për projektet e BE-së në atë pjesë, ai potencoi ndërtimin e objekteve të përhershme të menaxhimit të integruar të kufirit, për të cilat tha se do të nisin gjatë këtij muaji dhe muajit të ardhshëm.

“Gjatë muajit nëntor dhe dhjetor do të nisim ndërtimin e objekteve të përhershme të menaxhimit të integruar të kufirit, të cilat do të financohen nga BE – ja, në pajtim me marrëveshjen e Brukselit”, ka thënë Mustafa.

Në anën tjetër, qytetarët e Mitrovicës thonë se me ndërtimin e objekteve të përhershme të menaxhimit të integruar të kufirit, po bëhet një punë shumë e mirë.

Shpresa Rafuna, tha për KosovaPress se me ndërtimin e këtyre objekteve do të mundësojë qarkullim më të lehtë të qytetarëve, por edhe siguri më të madhe për ta.

“Unë mendoj se është duke u bërë një gjë e mirë, sepse mundëson që njerëzit të kenë një kalim më të lehtë në kufi në mes shteteve. Po bëhet ndërtimi i pikave kufitare dhe kjo është një marrëveshje që është paraparë në bisedime me BE-në… Besoj se siguria ka me qenë më në nivel”, tha ajo.

Liridon Selimi, ka potencuar se ndërtimi i objekteve të përhershme mes Kosovës dhe Serbisë veç tjerash do të plotësojë edhe kriterin për liberalizimin e vizave, në mënyrë që qytetarët e Kosovës të mund të lëvizin lirshëm nëpër vendet e ndryshme sa më parë.

“Ndërtimi i këtyre objekteve është një punë e mirë që po bëhet, ka me qenë lëvizja më e mirë edhe e automjeteve dhe është një siguri shumë më e madhe…Fundja është një punë që duhet bërë për shkak të liberalizimit të vizave, për të udhëtuar qytetarët”, theksoi Selimi. /KosovaPress/