Aktuale

Serbia nuk do që dialogu të kalojë në nivel presidentësh

Edhe pse në Kosovë ka një kohë që përmendet mundësia që presidenti Hashim Thaçi të përfshihet, ose edhe ta merr udhëheqjen e dialogut me Serbisë, pala serbe vlerëson se ky opsion është pak i besueshëm.

Gazeta serbe “Blic” ka publikuar një artikull në të cilin ngrit pyetjen se a do të kalojë dialogu Kosovë – Serbi, nga niveli i kryeministrave në nivel presidentësh.

Megjithatë, pala serbe nuk e sheh si të besueshëm këtë opsion.

“Edhe pse në Kosovë ka kohë që përmendet mundësia që presidenti Hashim Thaçi të përfshihet në dialog, ose edhe ta marrë udhëheqjen e dialogut me Serbisë, pala serbe vlerëson se ky opsion është pak i besueshëm”, thuhet nga “Blic”.

Burime të kësaj gazetë brenda Qeverisë së Serbisë thonë se kjo është një “lojë” e Prishtinës dhe “s’ka lidhje me realitetin”.

“Më shumë merren me formën, sesa me përmbajtjen, kurse esenca e gjithë kësaj qëndron se shumë gjëra të arritura në Bruksel nuk po zbatohen, në rend të parë themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Me siguri ata po tentojnë t’ia hedhin fajin Serbisë, që ta paraqesin si përgjegjëse për ngecje”, citohet të ketë thënë burimi i “Blic”-it, duke potencuar se serbët nuk kanë asnjë informacion për kërkesën që të ndryshohet formati i dialogut.

Më tej gazeta shkruan se dialogu mund të mos vazhdojë deri në themelimin e qeverisë së re, nëse Kosova shkon në zgjedhje.