Aktuale

Thaçi tregon se kur do ta shpallë datën për zgjedhjet në Drenas

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka bërë të ditur se nesër ose pasnesër do të caktojë datën se kur do të mbahen zgjedhjet në komunën e Drenasit, shkruan Gazeta Express.

Thaçi ka folur për mediat gjatë homazheve te vendi i rënies së dëshmorëve Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu në lagjen “Bregu i Diellit” në Prishtinë. Ai ka thënë se po punohet për datën e zgjedhjeve në Drenas.

“Aktualisht jemi duke punuar në përcaktimin e datës së zgjedhjeve në Drenas. Nesër ose pasnesër do të konfirmohet data e zgjedhjeve,” tha Presidenti Thaçi.

Ish- Kryetari i Komunës së Drenasit, Nexhat Demaku ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë, një ditë pasi që Gjykata e Apelit, vërtetoi aktgjykimin e Themelores për 10 të akuzuarit në rastin e njohur si “Drenica 2”.