Aktuale

OSBE do të vazhdojë të mbështesë Kosovën

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, priti sot në takim kryesuesin e ri të Misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian në Kosovë, z. Jan Braathu.

Duke i uruar suksese në këtë post të rëndësishëm diplomatik, ministrja Tahiri tha se roli i diplomatit Jan Braathu ka qenë i shquar dhe ai ka dhënë kontribut për Kosovën dhe paqen, si dhe stabilitetin në rajon mbi dy dekada.

Ministrja Tahiri shprehu besimin se nën udhëheqjen e tij, OSBE-ja do të vazhdojë të realizojë me sukses misionin për mbështetjen e Kosovës, në shtet ndërtimin demokratik dhe ndërtimin e kapaciteteve organizative qeverisëse si në nivelin lokal ashtu edhe në atë qendror.

Ambasadori Braathu shprehu kënaqësinë për bashkëpunimin e frytshëm në të kaluarën, si dhe premtoi se misioni i OSBE-së do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në zhvillimin e mëtejmë të institucioneve të pavarura demokratike dhe rritjen e pjesëmarrjes së qytetarëve në vendimmarrje, në promovimin e të drejtave të njeriut, komuniteteve dhe për sundimin e ligjit.