Aktuale

Mustafa i quan keqinterpretim nga mediat deklaratat e Vesleit për zgjedhje

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se koalicioni PDK-LDK është duke funksionuar mirë dhe ka mohuar mundësinë që vendi të shkojë në zgjedhje dhe sipas tij qeveri do ta çojë mandatin deri në fund.

Ndërsa lidhur me deklaratat e partnerit qeverisës, kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve, ai ka thënë se janë keqinterpretuar nga mediat dhe u janë dhënë kahje e ndryshme.

“Nuk është folur asnjëherë për zgjedhje. Ne jemi duke funksionuar tepër mirë. PDK dhe LDK si koalicion qeverisës do ta çojnë mandatin deri në fund. Zgjedhjet do të mbahen ashtu siç parashihen, pra pasi ne ta përfundojmë mandatin. Deklaratat në media shpesh po keqinterpretohen dhe po u jepen kahje të ndryshme”, ka thënë Mustafa në një intervistë dhënë RTK-së, transmeton KosovaPress.

Kryeministri Mustafa ka folur edhe për liberalizimin e vizave, ku ka thënë se Bashkimi Evropian nuk kërkon deklaratë për liberalizim të vizave, por përmbushjen e kriterit që është votimi i demarkacionit që të hiqen vizat.

“Nuk shoh asnjë arsye që ne të humbim energji, nëse po e bëjmë një deklaratë të shkruar ashtu, apo kështu, sepse ne mund të çojmë shumë deklarata në Bruksel, por ato nuk i plotësojnë kriteret e liberalizimit. Në qoftë se ne jemi të gatshëm të pajtohemi që ta ratifikojmë marrëveshjen, ose nëse ne kemi ndonjë argument të qartë se Kosova në një periudhë të catuar kohore që i referohet edhe shpalljes së pavarësisë ka administruar ose qeverisur territor më shumë se sa ka sot, atëherë për ne ai është argument që t’i themi Malit të Zi se marrëveshja nuk është bërë si duhet”, tha Mustafa./KosovaPress/