Aktuale

Konkursi për drejtorin e Doganës është anuluar për t’u zbatuar marrëveshja Qeveri-ambasadë britanike

Ministria e Financave bën të ditur se anulimi i konkursit për pozitën e drejtorit të përgjithshëm të Doganave është bërë për ta bërë të mundur zbatimin e marrëveshjes së nënshkruar nga kryeministri Isa Mustafa, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli dhe ambasadori britanik në Kosovë Ruari O’Connell.

“Sipas kësaj marrëveshje, ekspertët ndërkombëtar do të angazhohen në mbikëqyrjen e procesit të zgjedhjes së drejtorit që nga fillimi”, thuhet në një njoftim nga Ministria e Financave.

Pozita e Drejtorit të përgjithshëm vlerësohet si pozitë e lartë shtetëror, prandaj me qëllim të zbatimit të Memorandumit të Bashkëpunimit ky konkurs duhet të përsëritet, thuhet në njoftimin e MF-së.

Ministria e Financave garanton që përsëritja e këtij konkursi dhe zbatimi i Memorandumit të Bashkëpunimit do të ndikojë në zhvillimin e një procesi transparent dhe të besueshëm, ashtu siç ishte synuar me planin e rekrutimit të Ministrisë së Financave.

Ministria e Financave kërkon mirëkuptim nga aplikantët si dhe i fton ata për konkurrim./KosovaPress/