Arsim & Kulturë

Artistët kërkojnë projektligj për zhvillimin e Kinematografisë

Në komisionin parlamentar për Arsim dhe Kulturë edhe pse nuk ishin prezent përfaqësuesit e Ministrisë së Kulturës u mbajt dëgjimi publik për Kinematografinë kosovare.

Për mungesë të përfaqësuesve të kësaj Ministrie, kryetari i komisionit, Nait Hasani kërkoi të mos mbahet dëgjimi, por pjesëmarrësi në këtë komision deputeti, Shaip Muja kërkojë debat, ku sipas tij, projektligji për Kinematografinë ka rëndësi për vendin dhe artin në veçanti. Edhe deputeti dhe anëtari i Komisionit, Ismajl Kurteshi nga VV kërkoi të ketë diskutim me këtë përbërje.

“Komisionet funksionale që kanë pasur projektligjin nuk kanë vërejtje në aspektin ligjor, as në amendamentim, por komuniteti i artistëve ka kërkuar edhe një herë një shqyrtim dhe ministri ka bërë kërkesën për ta. Prandaj, unë këtë mbledhje që e kemi thirr për sot në orën 10:00, tash është ora 10: 15 e shohë të pa arsyeshme ta vazhdojmë një debat publik ku nuk kemi as përfaqësues të Ministrisë së Kulturës, i kemi vetëm tre nga komuniteti i artistëve që kanë qenë vazhdimisht pjesë e këtij projektligji për plotësim ndryshimet dhe mendoj se nuk kemi nevojë të diskutojmë më tutje këtë projektligj”, tha Hasani.

Kurse, deputeti Muja tha se me projektligj duhet të ri-diskutuar edhe një herë disa ndryshime kozmetike që janë bërë. Ai kërkoi që me këtë projektligj të futen në juri të kinematografisë edhe përfaqësues ndërkombëtar, e jo të përbërë vetëm nga vendorët.Po ashtu, ai kërkoi të mos i ndërrohet emri i Kosovafilimit, kjo për mos me pas fatin e njëjtë sikur ky institucion kulturor sikur televizioni i Prishtinës dikur.

 

“Çdo ligj për të cilin angazhohen institucionet legjislative dhe të ekzekutivit është në interes për t’u debatuar, pavarësisht sasisë të numrit të njerëzve, është përfaqësimi i institucioneve të cilat kanë interes të participojnë me propozime në ligj… për ata jemi edhe në këtë situatë që është dashur të ri diskutua edhe një herë dhe unë iu kisha lutë meqë janë disa ndryshime kozmetike të cilat janë të vogla në amandamentime është mirë të diskutohen në disa pika, në disa vërtetje të cilat i kam dhënë unë dhe të cilat në bashkëpunim me komunitetin e shoqatës së producentëve të Kosovës kam arrite që t’i formuloj disa amandamnete të cilat do t’i protokolloj nëse ju keni vullnet për me i amandamnetuar dhe me i parë dhe do të jenë në funksion të fuqizimit të ligjit në përgjithësi”, theksoi Muja.

Nga shoqata e producentëve të Kosovës, Blerta Basholli kërkoi të behët një ligj i mirë për zhvillimin e Kinematografisë, e assesi për interesa individuale.

 

“Ideja është këtu jo mu plotësuar interesat a as një shoqate ose të as një inidvidi ose pjesës së komunitetit, por me arsyeshmëri të plotë janë kërkuar edhe disa ndryshime për shkak të zhvillimit të kinematografisë,… me kësi rasti kemi mundësi me bërë një ligj që ndihmon këtë zhvillim, më tolerantë dhe jo kufizues, për shkak se ligjet nuk mund të ndryshohen çdo ditë”, theksoi Basholli.

Ndërsa, regjisori Luan Kryeziu, i cili është edhe anëtar i Grupit Punues, tha se është për ndryshimin e ligjit për sa përket përbërjes së anëtarëve të jurisë për Kinematografinë, ku sipas tij, përfaqësuesit ndërkombëtar nuk duhet të jenë pjesë e këtyre jurive.

 

“Jam pro kësaj ideje për shkak se kështu e ka e tërë bota, edhe nëse nuk e ka kjo dihet, sepseme buxhetin tatimpaguesit duhet të menaxhoi ai popull. Ekzistojnë të gjitha mundësitë e hapura që jenë qoftë ndërkombëtarë me ardhur me bashkëpunuar dhe punuar drejtpërdrejt. Ndaj, ndërkombëtarët kanë drejt me qenë producent, regjisor, skenarist dhe gjithçka… mirëpo anëtari jurisë është diçka profesionale dhe specifike që i takon interesave kulturore të zhvillimit të politikave kulturore të atij vendi”, tha Kryeziu.

Anëtarët e tjerë të komisionit nuk dëshiruan të debatojnë lidhur me Kinematografinë me arsyetimin se me të pranishmit në këtë mbledhje, kishin diskutuar edhe më parë këto tema./KP