Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka shprehur se bojkoti i Listës Serbe nuk do të zgjasë shumë. Sipas tij shumë shpejt ato qëndrime do të shkrihen.
Kështu ka deklaruar kryeministri i Kosovës Isa Mustafa gjatë një vizite që i ka bërë Kompanisë së shërbimeve të teknologjisë informative dhe të komunikacionit në tregun global, i cili shkurtimisht ka thënë se kjo listë do të ndërrojë mendje, raporton KTV.
Ndërsa dje, Zëdhënësi i kryeministrit, Faton Abdullahu, tha për Gazetën Express se “epiqendra e kësaj “dridhjeje politike” është Beogradi, prandaj ato nuk mund të shkaktojnë kurrfarë dridhje, bile as ndikime në Prishtinë”.
Bojkotimi i Listës Serbe e ka vënë në pozitë të vështirë koalicionin për arsyen se nuk ka votat e mjaftueshme për të kaluar projektligjet me rëndësi të veçantë, si Demarkacioni.
Kryetari i Listës Serbe, Sllavko Simiq, ka thënë për mediat, se miratimi i ‘Trepçës’ nga Kuvendi mund të sjellë që Lista ta braktisë koalicionin qeverisës.





















