Arsim & Kulturë

Kolegji AAB përmbylli suksesshëm turnirin e shahut online

Në kohë pandemie, Fakulteti i Kulturës Fizike dhe Sportit të Kolegjit AAB në bashkëpunim me Federatën e Shahut të Kosovës, organizuan turnirin e shahut online, i cili rezultoi me sukses.

Tre fituesit e parë në këtë turnir të shahut u zgjodhën: Getoar Sadiku vendi i parë, Emell Dili vendi i dytë dhe Drilon Atashi vendi tretë.

Gjatë këtij turniri online janë zhvilluar gjithsej 207 lojë, ku secila lojë ka përfunduar në më pak se 20 minuta, ndërsa sistemi ka bërë përzgjedhjen e fituesve në këtë garë online për shah.

Me këtë rast, Dekani i Fakultetit të Kulturës Fizike dhe Sportit, Fatmir Pireva, u shpreh se kjo iniciativë ishte në të mirë të studentëve pasiqë studentët tani nuk mund të jenë aktiv shkaku i gjendjes së pandemisë COVID-19.

“Menduam që të organizojmë ndonjë aktivitet që kishte për qëllim kyqjen e studentëve dhe largimin së paku disa ora nga gjendja që tash e disa ditë na ka kapluar. Ky aktivitet doli shumë mirë, kishte pjesëmarrje të studentëve mjaft të kënaqshme”, u shpreh Dekani Fatmir Pireva.

Tutje, Dekani Pireva theksoi se janë organizuar edhe disa aktivitete të tjera, dhe i radhës që do të fillojë, do të jetë ofrimi i orëve të fitnesit online, ku këto orë do të zhvillohen dy herë në javë dhe studentët do t’i udhëheqin këto orë.

Ndërsa, Prodekani për Çështje Mësimore, Besim Gashi, tha se gjatë këtij turniri çdo gjë është zhvilluar mirë dhe me këtë rast falenderoi Sekretarin e Federatës së Shahut në Kosovë, Burhanudin Misinin, ku theksoi se bashkëpunimi me të ka qenë një përvojë e mirë./GazetaKNN/