Aktuale

Me këto barna po trajtohen në QKUK personat e prekur me koronavirus

Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) së fundmi është furnizuar me dy barna, të cilat sipas presidentit amerikan, në SHBA kanë dhënë rezultate të mira te trajtimi i pacienteve me COVID 19.

Bëhet fjalë për blerjen e 240 dozave Chloroquine dhe për 200 tjera të barit Azithromycin, të cilat QKUK-se mësohet se i kanë ardhur donacion.

Kjo është konfirmuar ditë më parë nga drejtori i SHSKUK-së, Basri Sejdiu.

Kurse gjatë ditës së sotme drejtoresha e Klinikes Infektive, Lindita Ajazaj-Berisha tha për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus se njëra nga këto medikamente është duke u aplikuar tek pacientët me Covid-19.

Ajazaj-Berisha tutje ka thënë se në Kliniken Infektive aktualisht janë duke u aplikuar protokollet që janë zbatuar edhe nga shtetet e tjera.

“Aktualisht në Klinikën Infektive jemi duke aplikuar protokollet si edhe shtetet e tjera të cilët veç e kanë pas më herët epideminë. Në Klinikë kemi Hidoksiklorikina dhe medikamentet e tjera dhe çfarëdo që është nevojshme”, ka thënë ajo.

Ajo tutje ka shtuar se në këtë klinikë janë duke u trajtuar gjithsej 24 persona të prekur me koronavirus apo COVID 19 dhe prej numrit të përgjithshëm 6 janë në gjendje më të rëndë.

“Në klinikën tonë janë të hospitalizuar 24 pacientë, 18 janë me gjendje stabile dhe 6 të tjerë janë me oksigjen”, ka thënë ajo.

Ndryshe në Kosovë ka shkuar në 61 numri i personave të prekur me koronavirus. Numri më i madh i të infektuarve vjen nga komuna e Malishevës.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKPSH) ka treguar se tashmë ka intensifikuar hulumtimin aktiv të gjitha rasteve të dyshimta në COVID-19.

Sipas IKSHP-së nga njëqind (100) mostra të marra dje janë hulumtim i personave që kanë qenë në kontakt të afërt me rastet e konfirmuara 26 raste kanë rezultuar pozitive në SARS CoV-2.

Tutje IKPSH thekson se të gjithë këta kanë qenë në vetë izolim.

“Testimi në numër kaq i madh është bërë me qëllim të gjurmimit të të gjitha kontakteve të rasteve të konfirmuara të cilat janë gjetur në mënyrë proaktive nga ekipet e Institutit Kombëtar”, thuhet në njoftimin e dërguar sot nga IKPSH-ja.

the authorGazetaKNN