Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, në një konferencë para mediave pas mbledhjes së kryesisë së LDK’së, ka thënë se pas zhvillimeve të fundit në skenën politike në Kosovë, LDK’ja do të iniciojë mocionin e mosbesimit për rrëzimin e Qeverisë Kurti.
“Patem mbledhjen e kryesisë, trajtuam situatën aktuale në vendin tonë shkaktuar nga rrezikimi i prishjes së marrëdhënieve me SHBA’në si rezultat i mos heqjes së tarifës edhe pse kërkuan pareshtur si aleati yni dhe problemin që sot ka lind me shkarkimin në kundërshtim me marrëveshjen për bashkëqeverisje të ministrit Veliu. Sot nw mbledhje e diskutuam dhe kemi vendosur që LDK’ja të iniciojë mocionin e mosbesimit pwr tw rrwzuar Qeverinw Kurti”, është shprehur Mustafa.
Gjithashtu Mustafa tha se ky vendim erdhi edhe si rezultat i rrezikimit të mardhënjeve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Unë dëshiroj t’iu them se me 12 të këtij muaji e kam takuar Kurtin se bashku me kryeparlamentaren Osmanin dhe zv kryeministrin Hotin dhe kam kërkuar nga ai që të heqë tarifën pa kushte si e kërkon SHBA’ja, sepse rrezikimi i mardhënjeve nuk është në dobi të vendit tonë për shkak të një tarife të cilën nuk e ka vënë as LDK’ja as Vetëvendosja. Kam dhënë arsyet tona ne si LDK, është miqësia e përhershme me SHBA’në dhe ne nuk mund ta cenojmë identitetin tonë politik dhe as bashkëpunimin tonë me vendin që na ka ndihmuar ta fitojmë lirinë dhe pavarësinë”, ka thënë Mustafa.
“Nuk kam ndonjë përgjigje pozitive, meqenëse më 15 ka kaluar afati që Kurti ta heqë tarifën. Kam konsultuar bashkëpunëtoret e mi në LDK, i kam shkruar Kurtit që të ndërmerr veprimet deri në fund të kësaj jave ta heqë tarifën. Rrezikimi i raporteve me SHBA’në nënkupton rrezikimin e investimeve me 200 milionë dollarë”, ka thënë Mustafa.
Tutje, Mustafa kujtoi tërheqjen e investitorit në ndërtimin e termocentralit Kosova e Re.
“Dje ka ndodh një tërheqje e investitorit Kosova e Re me arsyetim të ndryshimeve politike. Sa i përket asaj edhe ne kemi pasur vërejtjet tona për këtë projekt, por nuk kemi pritur që një investitor i tillë të hiqet nga këtu.