Në kufirin mes Shqipërisë dhe Kosovës, në orët e paradites së sotme, Policia e klanit “Pronto” ka arrestuar aktivistin e Lëvizjes Vetëvendosje, Naser Shatrin.
Kështu thuhet në një komunikatë për media të VV-së, ku theksohet se aktivisti Shatri, njëkohësisht ish – ushtar i UÇK-së, është arrestuar në lidhje me aksionin protestues të rrotullimit të xhipave të EULEX-it, në vitin 2009, me të cilin Lëvizja Vetëvendosje paralajmëronte se ky mision ndërkombëtar nuk do të sillte drejtësi.
“Një gjë e cila u vërtetua më përfshirjen e zyrtarëve të këtij misioni në korrupsion, për luftimin e të cilit edhe thirren. Klani “Pronto” në vazhdimësi është duke e përdorur Policinë si mjet për ta luftuar opozitën, teksa aferat e këtij klani sa vijnë e shtohen. Kërkojmë lirimin e menjëhershëm të aktivistit Naser Shatri dhe kërkojmë që të pushojnë përndjekjet ndaj aktivistëve tanë. Ashtu siç u dëshuma se misioni i EULEX-it është i padrejtë e i korruptuar, po aq e qartë është nevoja për largimin e klanit “Pronto” nga pushteti, këtij organizimi kriminal që po e shkatërron vendin. Përpjekja jonë për çlirimin e institucioneve, vendosjen e drejtësisë dhe Republikën e së drejtës nuk do të ndalet asnjëherë. Lufta jonë për drejtësi do të vazhdojë. Çlirimi i Kosovës nga klani “Pronto” do të ndodhë”, thuhet në komunikatën e Vetëvendosjes./KosovaPress/