Aktuale

Kërkohet shfuqizimi i vendimin për largimin e punëtorëve nga KEDS

Punëtorët që kanë mbetur pa punë në KEDS, edhe sot kanë protestuar para Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar nga që t’i mbrojnë punëtorët. Ata pastaj marshuan drejt objektit të KEDS, ku i bënë thirrje bordit të kësaj kompanie që të përfundojë shantazhet për largimin e punëtorëve nga puna, në të kundërtën nuk do të ndalen së protestuari.

Kryetari i Sindikatës së Pavarur KEDS, Fehmi Pajaziti, është shprehur se duan vetëm të respektohen ligjet, të cilat janë aprovuar në Kuvendin e Kosovës.

 

“Deputet të cilët e kanë votuar privatizimin, t’i  thërrasin ndërgjegjes, të gjejnë gjuhën e arsyes, dhe nuk kërkojmë më shumë vetëm se ligjet të cilat janë të aprovuara në Kosovë të zbatohen. Prandaj, një pjesë e punëtorëve shkoj brenda të dialogoj dhe ne nga këtu përçojmë mesazhe që kompania KEDS t’i mbyll këto shantazhe me largimin e punëtorëve nga puna. Nuk do të ndalemi së vepruari…do shkojmë deri në fund në suaza ligjore edhe me greva të përgjithshme do të futemi “, tha Pajaziti.

Edhe sekretari i Federatës të Pavarur “ElektroKosova”, Rashit Gashi, është shprehur se me protestën e sotme, ata duan të shprehin mllefin dhe pakënaqësinë e tyre për veprimet dhe vendimet e bordit të drejtorëve të kompanisë KEDS, për largimin e punëtorëve nga puna në këtë kompani.

Ai bëri thirrje bordit të drejtorëve dhe menaxhmentit të KEDS që të shfuqizojë vendimin për largimin e punëtorëve nga puna.

 

“Shprehëm mllefin dhe pakënaqësinë për veprimet e fundit dhe vendimet e bordit te drejtorëve të KEDS për largimin e punëtoreve nga puna, edhe një herë ne nga këtu iu bëjmë thirrje bordit të drejtorëve të KEDS. Gjithashtu, edhe menaxhmentit të shpall të pavlefshëm dhe të shfuqizoj vendimin për largimin, mbylljen e departamentit i cili është bërë ne mënyrë të kundër ligjshme…kurse do t’i lëmë kohë dialogut që të ketë edhe një reagim qofte institucional javën e ardhshme”, tha Gashi.

Gjithashtu, ai ka treguar se ata kanë bërë kërkesa të njëpasnjëshme Qeverisë së Kosovës, ku kanë kërkuar që të mos vazhdohet me largimin e punëtorëve nga KEDS, por që kërkesat e tyre nuk u respektuan, pasi që siç tha ai vetën dy vitet e para janë larguar 300 punëtorë përmes presioneve dhe formave të ndryshme represive.

Kryetari i Sindikatës Distrikti Mitrovicë, Avdullah Veseli, në protestën e sotme tha se janë edhe kundër Qeverisë së Kosovës të cilët nuk kanë ndalur me asnjë koment të tyre kundër veprimeve që ka marr KEDS.

 

“Si sindikatë jemi shumë të mllefosur me menaxhimet të cilat i ka marrë KEDS-i, ka larguar mbi 95 punëtorë por edhe para 6 muajsh ka larguar edhe 74 punëtorë, dhe tani jemi shumë të mllefosur me reagimet e tyre se çfarë janë duke bërë dhe jemi kundër Qeverisë tonë të cilët deri më tani nuk ka ndalur me asnjë koment kundër këtyre veprimeve që ka marrë KEDS-i ndaj punëtorëve. Andaj, jemi shumë të mllefosur ndaj Qeverisë të cilët nuk dihet a kanë pruar okupator këtu në Kosovën e lirë”, tha Veseli.

Ndryshe, punëtorët e larguar nga KEDS, e që mbetën të papunë kanë protestuar edhe javën që lamë pas./KP