Aktuale

Ministrat serbë kundër Projektligjit për Trepçën

Qeveria e Kosovës ka proceduar për në Kuvend, Projektligjin për Trepçën. E ministrat serb, që janë pjesë e kabinetit qeveritar votuan kundër këtij projektligji, për të cilin thanë se bashkësia serbe po përjashtohet nga zhvillimi i kësaj ndërmarrje. Ndërkaq pas procedimit të projektligjit, ata lëshuan sallën.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci i cili prezantoi këtë projektligj tha se me këtë projektligj, Trepça transformohet në shoqëri aksionare, ku pronare e 80 për qind të aksioneve do të jetë Qeveria dhe pronare të 20 për qindëshit tjetër do të jenë punëtorët.

Ndërsa, pohoi se Trepçës kanë dashur t’i japin trajtën e një shoqërie aksionare, e cila i hap rrugë investimeve.

Si kapitull të rëndësishëm ai përmendi dhe mundësinë e pjesëmarrjes së sektorit privat, që qysh tani ky aset i rëndësishëm të nis rrugën e rivitalizimit dhe të jetë i hapur për investime të ndryshme.

“Ky projektligj ka për qëllim krijimin e infrastrukturës ligjore, e cila synon një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, përmes hapjes së rrugës për investime, rritjen e vlerës së aseteve dhe avancimin e kapitalit tekniko-teknologjik, si parakusht për rivitalizimin e Trepçës. Dispozitat e këtij projektligji përcaktojnë transformimin e disa njësive biznesore të NSH Trepça në shoqëri aksionare, me ç’rast Qeveria e Republikës së Kosovës, do të jetë pronar i 80 për qind të këtyre aksioneve, ndërsa punëtoret pronar të 20 për qind të aksioneve”, tha ai.

Në anën tjetër, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi tha se nuk ka qenë aspak i lehtë hartimi i projektligjit në fjalë, por sipas tij, kjo është zgjidhja më e mirë e mundshme, në këtë ambientin çfarë e kemi.

“Nga një ndërmarrje që ka qenë në mbijetesë, duhet ta respektojmë tani në ambientin e ri, që nënkupton një ekonomi e lirë e tregut, njëkohësisht dhe me një mundësi të menaxhimit adekuat sipas Kushtetutës sonë. Po e them sipas Kushtetutës edhe kriteri i dytë që ka qenë dhe ka reflektuar në këtë ligj janë resurset nëntokësore, minerare që parashihet se janë të interesit publik me këtë Projektligj janë paraparë. Hartuesi i këtij Projektligji nuk ka mund t’i ik realitetit ekzistues të menaxhimit adekuat që është në Trepçë. Karakteri unik i kësaj ndërmarrje, tani më i shoqërisë aksionare është i domosdoshëm, natyrisht me specifikat që i ka por duhet ta ruajmë një karakter unik, shoqëria aksionare Trepça duhet të jetë unike në tërë territorin e vendit tonë“, tha ai.

Por me këtë nuk u pajtuan ministrat e Listës Serbe, të cilët thanë se nuk do ta votojnë këtë projektligj.

Zëvendëskryeministri Branimir Stojanoviq, tha se nuk do ta përkrahin këtë projektligj, i cili sipas tij më shumë është politik se sa ekonomik.

Ndërsa tha se ditëve të ardhshme do të dalin publikisht me qëndrime politike, lidhur me këtë çështje.

“Për fat të keq, kjo formë e këtij Projektligji, është më shumë politik sesa ekonomik që në atë terren ta dërgojë tërë temën. Në këtë proces pjesëmarrja jonë as që ishte, përveç disa konsultimeve të vogla, jo precize, herë pas here…Duhet të ndryshohet projektligji, që të provojmë që kjo të bëhet e pranueshme edhe për ne. Nëse kjo nuk ndodh ne nuk do ta votojmë as në Kuvend”, tha ai.

Edhe ministri Lubomir Mariq tha se komuniteti serb është plotësisht i përjashtuar nga ky proces dhe se janë të detyruar të votojnë kundër.

“Unë e përsëris se me këtë Projektligj komuniteti serb është plotësisht e përjashtuar nga procesi i Trepçës. Dhe për këtë ne jemi të detyruar që të votojmë kundër projektligjit”, tha ai.

Ndërkaq ministrja Edita Tahiri tha se Trepça dhe asetet tjera shtetërore, kanë nevojë të kenë një kornizë ligjore, që u shërben interesave të gjithë qytetarëve.

Ndërsa, sipas saj ngjyrimet etnike nuk ndihmojnë proceset e tilla.

“Ne të gjithë e dimë për shqetësimet që i kemi pasur që nga paslufta në raport me këtë aset shtetëror, pasurinë natyrore dhe me të tjerat. Asetet shtetërore janë asete publike të gjithë qytetarëve. Diskutimet që i japin ngjyrime etnike, nuk e ndihmojë as këtë rast as rastet tjera. Ndërmarrjet publike nuk do të duhej të kishin parashenja etnike. Për asetet shtetërore, sovran është populli dhe shteti, por në radhë të parë Qeveria si organ ekzekutiv”, tha ajo.

E kryeministri i vendit, Isa Mustafa tha se Qeveria ka gjetur zgjidhjen optimale për Trepçën.

Ai tha se resurset minerare janë pronë e Kosovës. Trepça, sipas tij do të jetë organizatë unike, me bilanc të konsoliduar, ndërsa siguroi që ligji nuk është hartuar për të mbrojtur interesa politike.

“Me këtë ne kemi gjetur një zgjidhje optimale dhe një zgjidhje të pëlqyeshme dhe të pranueshme për të gjithë. Por jam shumë i bindur se është një zgjidhje shumë e mirë për Trepçën. Se ky ligj për Trepçën, është ligj me rëndësi të veçantë, duke pasur parasysh që Trepça paraqet një sinonim të zhvillimit ekonomik të Kosovës. Paraqet dhe një sinonim të sakrificës dhe flijimit për Kosovën, që nuk duhet ta lëmë anash. Me këtë ligj ne si Qeveri në asnjë rast nuk pretendojmë ta kthejmë Trepçën në të kaluarën. Por pretendojmë dhe kemi për qëllim që të pasqyrojmë të ardhmen dhe të hapim të ardhmen e Trepçës… Prona e Trepçës është pronë e Republikës së Kosovës dhe kjo nuk mund të negociohet..Mund të iu siguroj që ligji nuk është hartuar për të mbrojtur interesat politike, sepse ne përmes Trepçës nuk do të zhvillojmë aktivitete të tilla. Por është hartuar që Trepçën ta konstituojmë në të ardhmen si organizate, e cila do të punojë mbi bazat e ekonomisë së tregut”, tha ai./KP