Përplasjet e shumta me Lëvizjen Vetëvendosje si dhe mosdakordimi për pozitat udhëheqëse në Presidencë, Qeveri e Kuvend, ka bërë që sot kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, të mbledhë nënkryetarët e saj.
Takimi u zhvillua mes kreut të partisë si dhe dy nënkryetarëve, Vjosa Osmanit dhe Agim Veliut.
Agim Veliu e ka konfirmuar për IndeksOnline, takimin e sotëm, derisa nuk i ka bërë të ditura detajet e takimit.
“Po ka pasë, diskutimet kanë qenë të përditshme dhe të zakonshme”, tha Veliu.
Ka shumë ditë që Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, zhvillojnë takime të brendshme, të udhëhequra nga dy kryetarët e saj.
Pas shumë takimesh, ende këto dy parti nuk kanë arritur të arrijnë një marrëveshje finale, siç edhe ishte thënë paraprakisht.
Duket se mosarritja e një marrëveshje, është pikërisht pamundësia e ndarjes së pozitave udhëheqëse, si ajo e presidentit dhe kryeparlamentarit.