Aktuale

5 ditë nga ngjarja tragjike në Prishtinë, mjekët tregojnë gjendjen e të plagosurve

Në rrezik për jetën po vazhdon të jetë njëri nga dy të plagosurit e rastit të javës së kaluar në rrugën ‘Muharrem Fejza’ në Prishtinë.

Të plagosurit e këtij rasti, që po qëndrojnë në spital, janë të familjes Rafuna. Nga Klinika Intenzive kanë bërë me dije për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus së njëri nga të plagosurit e rastit të javës së kaluar, është përmirësuar dukshëm.

Shaqir Uka, drejtor i kësaj klinike, ka thënë se pacienti i cili ishte plagosur në kokë, po vazhdon të jetë nën përkujdesjen e aparateve. Uka është shprehur se pacienti tjetër po trajtohet në klinikat e tjera për shërim.

“Njëri prej dy pacientëve që janë plagosur me armë zjarri e që kanë qenë duke u trajtuar në Klinikën Intenzive, ka arrit që gjendja e tij e përgjithshme të përmirësohet deri në atë shkallë që neve e kemi larguar nga intenziva, kështu duke e dërguar në një klinikë tjetër. Ndërsa pacienti tjetër është në gjendje të rëndë atë kritike i varur nga aparati dhe barnat. Ky pacient është i plagosur në kokë dhe po vazhdon të jetë ende në klinikë”, ka thënë Uka, shkruan FaktePlus.

Kujtojmë se nga kjo ngjarje kanë mbetur dy persona të vdekur, që varrimi i tyre u bë të shtunën.

Detaje se si filloi e gjithë përleshja mes anëtarëve të familjes Mehmeti e Rafuna, ka dhënë edhe Prokuroria Themelore e Prishtinës.

Sipas Prokurorisë, gjithçka kishte filluar me një përleshje fizike, për të përfunduar më pas me të shtëna armësh.

“Në njërën anë personat me inicialet F.R. dhe M.R., ndërsa në anën tjetër të dyshuarit me inicialet B.M., N.M. dhe M.M., kanë shtënë me armë zjarri. Ndërkaq, si pasojë e të shtënave të ndërsjella, lëndime dhe plagë të rënda në vendin e ngjarjes kanë pësuar të dyshuarit me inicialet F.R., M.R., B.M., dhe kalimtari i rastit, tani i dëmtuari G.R”, thuhej në komunikatën e Prokurorisë.

Prokuroria ka bërë të ditur se të lënduarit ishin dërguar menjëherë për trajtim në QKUK, mirëpo si pasojë e lëndimeve dhe plagëve të marra, kanë ndërruar jetë personat me inicialet B.M. dhe M.R.

Ndërkohë, me urdhër të prokurorit kujdestar, janë ndaluar për 48 orë më pas për t’iu vazhduar me 30 ditë paraburgim, personave me inicialet N.M., M.M., dhe F.R., për shkak të dyshimit se kanë kryer veprat penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 të KPRK-së.

Ndryshe në Kosovë janë shpeshtuar rastet e dhunën dhe vrasjeve për shkaqe pronësore. Për një konflikt pronash kishte mbetur i vdekur edhe një person në Lipjan nga nipi i tij. /FaktePlus

the authorBurbuqe Metolli