Rajon & Botë

Lavrov:Uashingtoni mbron një grup xhihadist në Siri

Shefi rus i diplomacisë, Sergei Lavrov akuzoi Uashingtonin se po mbronte organizatën xhihadiste Fronti Fateh al-Cham (ish-Fronti Al Nosra, degëzimi sirian i Al Kaedas) duke e konsideruar si një plan B në rast të rënies së regjimit sirian.

“Ne kemi gjithnjë e më shumë arsye të besojmë se që prej fillimit plani ishte të mbrohej Fronti Al Nosra dhe të ruhej si plan B në momentin kur të vinte koha për të ndryshuar regjimin”, deklaroi Lavrov në një intervistë të publikuar në televizionin britanik “BBC World News”.

“Ata kanë premtuar se është prioritet të bëjnë një ndarje mes opozitës së moderuar dhe Frontit Al Nosra (…) ata ende nuk janë të aftë ose nuk kanë dëshirë ta bëjnë këtë”, vazhdoi ai.

“Kjo ndarje mes opozitës së moderuar dhe Frontit Fateh al-Cham është e vetmja gjë e nevojshme që marrëveshja ruso-amerikane e armëpushimit të aplikohet”, tha Lavrov.