Aktuale

S’ka marrëveshje për kodin telefonik –“Serbia kërkon të uzurpojë asetet e telekomit”

Zyra për informim me anë të një komunikate për media njofton se, Sot, pas pesë ditësh të takimeve intensive për çështjet e kodit telefonik në Bruksel, nuk është arritur ende marrëveshja për implementim, me gjithë përparimet e vogla në disa aspekte.

 

“Ministrja Tahiri deklaron se gjatë gjithë kësaj kohe delegacioni i Kosovës ka mbrojtur interesat e shtetit, ka mbrojtur marrëveshjen për telekom dhe planin aksional dhe kategorikisht ka qenë i vendosur të mos pranoj kërkesat e palës serbe që dalin jashtë marrëveshjes për telekomin. Siç është thënë edhe më përpara pala serbe duke e shkelur marrëveshjen ka kërkuar shtrirje të antenave të telekomit në të gjithë Kosovën dhe ka pasur tendenca për t’i uzurpuar asetet e telekomit të Kosovës.” thuhet në komunikatë.

Delegacioni i Kosovës i kryesuar nga ministrja Tahiri kishte në përbërje edhe Dren Zeka, këshilltar kryesor politik i Ministres Tahiri, Gazmir Raci, këshilltar politik dhe koordinator politik i çështjes së telekomit, Kreshnik Gashi, koordinator teknik dhe kryetar i bordit të ARKEP, Ilir Imeri, shef i departamentit për komunikime elektronike në ARKEP, Rexhë Gjonbalaj, kryetar i bordit të Telekomit të Kosovës, Mehdi Latifaj, drejtor teknik i Telekomit të Kosovës, Gazmend Mejzini, kryeshef i Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, Zana Bejta, udhëheqëse e departamentit ligjor në IPKO dhe Haxhi Bajraktari nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Bruksel.