Aktuale

3.64 për qind e vozitësve kosovarë nëpër rrugë me targa provuese

Nga muaji mars i vitit 2016 në Kosovë, veturat janë duke u pajisur me tabela provuese në mungesë të atyre të përhershmëve.

 

Kjo gjendje po vazhdon edhe tash pavarësisht se është thënë disa herë nga zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme se ky problem do të eliminohet.

Sipas kësaj ministrie deri këtë të mërkurë në qarkullim në vend janë 11 mijë e 200 makina me targa të përkohshme ‘Probation’, njofton Klan Kosova.

Ndërsa numri total i makinave në qarkullim në vend është 306 mijë e 978. Kur llogaritet numri i  tabelave provuese me totalin e veturave të regjisturara, atëherë i bie se 3.64 përqind e qytetarëve të Kosovës deri tash janë pajisur me këtë lloj të targave.

Nga Ministria e Brendshme, për klankosova.tv kanë thënë se për këtë çështje pritet një vendim përfundimtar nga Organi Shqyrtues i Prokurimit jo më larg se deri në fund të këtij muaji, që i bie edhe dy ditë.

Rreth kësaj çështjeje një ditë më parë është deklaruar edhe zëvendësministri i MPB-së, Nehat Mustafa që është shprehur shumë kritik.

Madje ai ka bërë thirrje që të fillojnë hetimet lidhur me këtë rast, duke kërkuar që të gjendet fajtori i vërtetë se pse qytetarët qe gati një vit po pajisen me këtë lloj të targave.