Mbreti i Arabisë Saudite, Salman bin Abdulaziz, ka thënë se sulmet ndaj burimeve të naftës muajin e kaluar janë kërcënim për furnizimin botëror dhe sigurinë rajonale, duke i akuzuar përsëri grupet e mbështetura nga Irani për kryerjen e tyre.
“Sulmet me dronë në stacionet e naftës, të cilat janë kryer nga grupet e përkrahura nga Irani, jo vetëm që cenojnë sigurinë e mbretërisë sonë dhe të Gjirit Persik, por gjithashtu kërcënojnë sigurinë detare dhe furnizimin e botës me naftë”, tha Salman në samitin e Organizatës për Bashkëpunim Islamik, i cili u mbajt në Mekë.
Riadi e ka akuzuar Tehranin se i ka porositur sulmet ajrore me dronë, përgjegjësinë për të cilat i mori grupi jemenas i Houthit. Këshilltari amerikan për siguri kombëtare, John Bolton, tha të enjten se dëshmitë për përfshirjen e Iranit në sulmet ndaj anijeve që transportojnë naftë do të paraqiten në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara javën e ardhshme. Në anën tjetër, Tehrani i ka mohuar këto akuza.
Salman tha se ky samit ka për synim t’i luftojë kërcënimet agresive dhe veprimet subversive dhe të kontribuojë për të ardhmen e vendeve arabe dhe islamike.
Në këtë samit u vërejt mungesa e presidentit turk, Rexhep Erdogan. Sidoqoftë, Turqia u përfaqësua në këtë takim të nivelit të lartë nga ministri i jashtëm, Mevlut Cavusoglu, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.





















