Urimi i Dekanit të Fakultetit të Infermierisë/AAB me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Infermierisë
Shkruan: Dr. Idriz Sopjani
Kolegë të dashur,
Urime për të gjithë studentët, kolegët dhe bashkëpunëtorët 12-Majin-Ditën Ndërkombëtare të Infermierisë!
Është koha që t’i japim zë një pyetjeje e cila ka kohë që qetësisht qarkullon mes nesh: a duhet infermierët të bëhen pjesë e politikëbërjes për një lobim më të mirë të profesionit të tyre?
Infermierët janë shumë punëtorë, por bashkësia e tyre profesionale shpesh përshkruhet si një “gjigand i fjetur” e që duhet të zgjohet për të kuptuar potencialin e vet të plotë.
Ky përshkrim është ndoshta veçanërisht i qëlluar kur është fjala për përfshirje në politikat e shëndetësisë, në planifikimin financiar dhe atë të përgjithshëm shëndetësor, por pse jo edhe në politikbërje si koncept më i gjërë. Infermierët janë në thelbin e ofrimit të kujdesit shëndetësor por ende të margjinalizuar përnga kontributi në zhvillimin e politikave të shëndetit dhe përnga pjesëmarrja në vendime, prandaj angazhimi i infermierëve në politikbërje është thelbësor dhe i domosdoshëm.
Nëse energjia e dhjetëra mijëra infermierëve zgjohet me mbështetjen e plotë të menaxherëve dhe të politikbërësve dhe mundësohet përfshirja e plotë e tyre në politikë, atëherë infermierët do të jenë me të vërtetë një forcë për transformimin e sistemit shëndetësor.
Sot le të shënohet kjo ditë me krenari për kontrtibutin tonë të deritashëm dhe me optimizëm për të ardhmen e profesionit tonë.
Gëzuar!
Dr.rer.medic. Idriz Sopjani