Aktuale

Resul Sinani shpjegon arsyet pse u largua nga Nisma Socialdemokrate

I sapo larguari nga Nisma Socialdemokrate e Kosovës, Resul Sinani, ka shpjeguar arsyet pse e la partinë e Fatmir Limajt, vetëm pas një viti që prej se u bë pjesë e saj. Në një shkrim të gjatë, Sinani ka thënë se gjatë rrugëtimit me Nismës e ka kuptuar se ishte në trenin e gabuar, prandaj duhej të zbriste nga ai tren.

Ish moderatori i RTK-së, ka falënderuar përkrahësit e tij që e kanë mbështetur qoftë kur ka hyrë në politikë, e po ashtu edhe kur u largua nga Nisma, që sipas tij, ishte mbështetje më e madhe se sa ajo për bashkimin me partinë e Fatmir Limajt.

“Isha në trenin e gabuar. Gjatë këtyre ditëve, kam pranuar shumë pyetje, nga miq që i njoh personalisht, nga shumë dashamirë që nuk i njoh personalisht, por edhe nga gazetarë, lidhur me vendimin tim për t’u larguar nga Partia Nisma Socialdemokrate e Kosovës. Më lejoni që në fillim t’ju falënderoj të gjithëve për mirëkuptimin tuaj dhe mbështetjen tuaj për t’u angazhuar në politikë dhe në Partinë Nisma Socialdemokrate, e gjithashtu edhe për mbështetjen dhe përkrahjen tuaj që më keni dhënë këto ditë për largimin tim prej aty. Nëse unë ju kam befasuar me vendimin tim për t’u angazhuar në parti, ju më keni befasuar me përkrahjen e vendimit tim për t’u larguar prej saj, që dorën në zemër, është shumë herë më e madhe se sa kur kam aderuar!”, ka shkruar Sinani, transmeton FaktePlus.

Me tutje Sinani ka theksuar se kishte para se të futej në politikë kishte një ide, për realizimin e të cilës kishte krijuar besimin, e më pas kishte aderuar në Nismës Socialdemokrate.

“Nuk dua të merrem me të kaluarën dhe nuk do të merrem, sepse e rëndësishme është e ardhmja. Mirëpo, ndjehem i obliguar ndaj të afërmve dhe opinionit të gjerë të sqaroj vendimin tim të fundit. Sado që mund të jetë dukur i papritur apo i nxituar, nuk është fare i tillë, madje mund të them se kam pritur gjatë, që nga shtatori i vitit të kaluar. Për t’u angazhuar në politikë, unë së pari kam pasur IDENË, për realizimin e së cilës, kam krijuar BESIMIN dhe pastaj jam bërë pjesë e saj. Këtë besim e kam krijuar pas bisedave të drejtpërdrejta me liderin e NSD, prandaj edhe kam marrë vendimin për aderim aty. Mirëpo, që ideja të realizohej duheshin disa veprime konkrete të cilat nuk ndodhën kurrë. Përkundrazi, veprimet shkonin në drejtim të kundërt. Nuk u dashtë shumë kohë që të kuptoja se isha në trenin e gabuar. Muajt në vijim, ma forcuan këtë bindje dhe shumë natyrshëm, vendosa të zbres nga ai tren i cili nuk po shkonte në drejtimin e duhur”, është shprehur Resul Sinani.

Megjithatë, Resul Sinani thotë se ideja e tij për të hyrë në politikë nuk është shuar, madje, është forcuar dhe formësuar.

“Gjatë këtij viti të angazhimit tim në politikë, megjithatë IDEJA për të hyrë në politikë nuk është shuar tek unë, përkundrazi, është forcuar dhe është formësuar. Sot, pavarësisht se a do të jem pjesë e ndonjë subjekti politik apo jo, unë rreshtohem fort dhe i bindur krah atyre që mendojnë se Kosovës i duhet NDRYSHIMI si skenës politike! Çdo ditë që po kalon, ky ndryshim po bëhet më i nevojshëm dhe më i domosdoshëm, por ai mund të ndodh vetëm përmes votës. Kur them ndryshim, e kam fjalën për ndryshim të vërtetë të skenës politike e jo të tilla si deri më tani për të cilat në fund kemi mbërritur në konstatimin se “Ujku qimen e ndërron, por zanatin s’e harron”, ka theksuar ai. /FaktePlus