Hapja e mijëra vendeve të punës për të huajt e ka shndërruar Kroacinë ndër destinacionet kryesore edhe për kosovarët.
Prej fillimit të këtij viti, rreth 1 mijë e 300 qytetarë nga Kosova kanë marrë leje qëndrimi dhe pune nga Ministria e Punëve të Brendshme e Kroacisë.
Në fund të vitit të kaluar, Qeveria e Kroacisë ka miratuar një vendim mbi përcaktimin e kuotës vjetore për punësimin e të huajve për vitin 2019.
Në Ambasadën e këtij vendi në Prishtinë kanë treguar se kuota totale për vitin 2019 është 65 mijë leje të punës, përfshirë vazhdimin e lejeve ekzistuese.
Prej tyre, 15 mijë do të jenë vazhdim i lejeve ekzistuese, ndërsa 50 mijë e 100 sosh leje të reja.
“Shumica e lejeve janë të parapara në sektorin e ndërtimit (17.800) dhe në turizëm e hoteleri (10.611), kurse për turizëm sezonal janë të parapara 5.000 leje”, i kanë thënë gazetës Koha Ditore në Ambasadën kroate.
E prej fillimit të këtij viti janë mbi 1 mijë qytetarë nga Kosova qw kanë marrë leje qëndrimi dhe pune nga Kroacia.
“Zyra konsullore (në Prishtinë v.j.) nga fillimi i vitit ka marrë rreth 1.300 kërkesa për viza në bazë të lëshimit të lejeve të qëndrimit dhe punës nga Ministria e Punëve të Brendshme të Kroacisë”.