Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka kujtuar sot 5 marsin e vitit 1998, ditën e rënies heroike të komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari dhe gjithë familjes së tij.
Veseli tha se janë disa ngjarje që bartin peshën e ndërrimit të epokave dhe ato shënojnë ndarjen e të tashmes prej të shkuarës, duke hapur shtigje të reja nëpër të cilat ecin popujt dhe shtetet.
“Një peshë të tillë padyshim e ka 5 marsi i vitit 1998. Atë ditë në Prekaz po ndryshonte historia e kombit tonë. Kosova po niste rrugën e pakthim drejt lirisë dhe padyshim simboli më unik i kësaj rruge ishte Adem Jashari dhe familja e tij martire”, ka thënë mes tjerash Veseli.
Ky është postimi i plotë i Veselit:
Janë disa ngjarje që bartin peshën e ndërrimit të epokave. Ato shënojnë ndarjen e të tashmes prej të shkuarës, duke hapur shtigje të reja nëpër të cilat ecin popujt dhe shtetet.
Një peshë të tillë padyshim e ka 5 marsi i vitit 1998. Atë ditë në Prekaz po ndryshonte historia e kombit tonë. Kosova po niste rrugën e pakthim drejt lirisë dhe padyshim simboli më unik i kësaj rruge ishte Adem Jashari dhe familja e tij martire.
Lufta dhe rënia e tyre, sakrifica e tyre e pashembullt në historinë njerëzore, e vulosën përcaktimin e popullit tonë për liri.
Adem Jashari dhe familja e tij ranë, që kombi ynë të ngritej në këmbë. Dhe ne u ngritëm. I madh e i vogël, burra e gra, nga të gjitha katër anët e kombit, nga të katër anët e diasporës.
U bashkuam nën emblemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe bëmë realitet ëndrrën për të cilën ra Adem Jashari dhe mijëra dëshmorë të lirisë. LAVDI!