Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar në parim projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Fondet Pensionale të Kosovës, si dhe projektligjin për Inspektoratin e Arsimit në Republikën e Kosovës.
Por deputetët e Lëvizjes VV kanë pasur kritika lidhur me projektligjin në fjalë. Ata kërkuan që të tërhiqet drafti aktual dhe të përmirësohet, duke e sjellur pastaj për procedim në Kuvend.
Shqipe Pantina nga VV tha se ky projektligj nuk i plotëson nevojat, për ta rregulluar këtë fushë. Ajo tha se është e papranueshme qasja e Qeverisë dhe mënyra e amandamentimit të këtij Projektligji, sepse po bëhet pa ndonjë analizë paraprake.
”Ndryshimet e propozuara nuk krijojnë më shumë siguri për kursimet e kontribuesve të fondit përkundrazi. Qeveri po synon të marrë më shumë para nga trusti, pa e bërë të qartë se si dhe ku do t’i investoj këto para”, tha ajo.
Kuvendi po ashtu me 71 vota pro, dy abstenime dhe asnjë kundër, ka miratuar në parim Projektligjin për Inspektoratin e Arsimit në Republikën e Kosovës. E nuk munguan kritikat në adresë të këtij projektligji, ku u tha se sistemi arsimor, inspektorati dhe zgjedhja e drejtorëve është politizuar. Deputetja Selvije Halimi tha se të gjitha emërimet në arsim po bëhen politike. Ndërsa, kërkoi nga ministri i arsimit që inspektorati të lirohet nga kërcënimet politike dhe të funksionoj i pavarur.
“Njëherë e përgjithmonë iu kisha lut zoti ministër që të përpiqemi të lirojmë inspektoratin nga kërcënimet politike, që mund t’u shkojnë atyre, në mënyrë që ata ta kryejnë punën të pavarur. Në qoftëse nuk janë të gatshëm atëherë mund të bëhet largimi i tyre dhe të largojmë njëherë e përgjithmonë, frikën e mësimdhënësve. Madje dhe në shkollat ku vërtetë përformansa është pozitive se iu shpallen konkurset për qëllime politike”, tha ajo.
Në lidhje me këtë reagoi deputeti i VV-së, Mydaher Haskuka, i cili tha se jo në të gjitha komunat ka ndërhyrje politike në arsim, duke iu referuar komunës së Prishtinës, e cila udhëhiqet nga partia e tij. Por deputeti Bekim Haxhiu tha se VV i punëson vetëm militantët partiak si drejtor të shkollave, madje edhe në qerdhe, sipas tij, përparësi i jepet militantëve të tyre.
“Nëse subjektet tjera politike nëpër komuna tjera kanë caktuar drejtor të shkollave nga komuna e tyre, VV në Prishtinë ka marrë militant dhe nga komunat tjera për ti bërë drejtor në Prishtinë. Ia ka tejkaluar në ndikimin politik që nga qerdhja deri në sistemin para universitar në Prishtinë, edhe në qerdhe VV e shikon fëmijët e kujt janë për t’i pranuar në qerdhe. Janë militant partiak apo jo”, tha ai.
Ndryshe, Kuvendi ia miratuar dhe raportin vjetor të Autoritetit Rregullator të Komunikimeve Elektronike dhe Postare për vitin 2015. Ka formuar komisionin ad hoc për përzgjedhjen e një anëtari të Komisionit të Pavarur për Media, si dhe Komisionin ad-hoc për përzgjedhjen e dy anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës./KP





















