Aktuale

Hoti shpalos platformën e LDK-së për 2019-ën

Njëri prej kandidatëve të mundshëm për Shef të LDK’së, Avdullah Hoti, ka thënë se gjatë vitit 2019 do të jenë gardian të Shtetit të Kosovës. Ka paralajmëruar se LDK do të bëjë gjithçka për ta çuar Haradinajn në shtëpi. Hoti ka lëshuar akuza edhe ndaj Thaçit e Veselit lidhur me dialogun ku njëri është për korrigjim të kufijve tjetri për ruajtje të Republikës.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK’së, Avdullah Hoti, ka shpalosur një platformë të gjatë se çka ka bërë Partia e Isa Mustafës dhe çka duhet të bëjë këtë vit.

Në tekstin e gjatë të publikuar në FB, Hoti ka lëshuar akuza në drejtim të Qeverisë se është më e madhja në botë dhe po i sjell dëme Kosovës.

“Qeveria është më e madhja në botë. Kryeministri ka 35 këshilltarë dhe 5 zëvendëskryeministra, të cilët kanë 55 këshilltarë. Disa nga zëvendëskryeministrat përfaqësojnë vetëm interesa të caktuara, pa fuqi politike në Kuvend dhe pa mbështetje qytetare. Qeveria ka 21 ministra, të cilët kanë 147 këshilltarë. Janë emëruar rreth 80 zëvendësministra, të cilët kanë rreth 80 këshilltarë, si dhe disa koordinatorë nacionalë. Të gjithë këta vetëm për të akomoduar interesat e qeverisë që ka 24 parti, të cilat përfaqësojnë vetëm 1/3 e elektoratit”, ka shkruar Hoti.

“Problem në vete është se rreth 1/3 e ministrave janë nën aktakuzë. Kryeministri është i dobët pasi vjen nga partia e pestë për nga fuqia e votës në Kuvendin e Kosovës”, ka shtuar ai.

Ai ka bërë një analizë të punës së qeverisë duke numëruar vendimet e kundërligjshme.

“Vendimet jo ligjore janë bërë përditshmëri e punëse së Qeverisë, siç janë: (i) ndarja e mjeteve buxhetore pa bazë të qartë ligjore; (ii) rritja e pagave për kabinetin qeveritar në kundërshtim me ligjin për financat publike dhe vendimin e Agjencisë Antikorrupcion të Kosovës se kjo paraqet konflikt interesi; (iii) falja jo ligjore e taksave të ndërmarrjeve private, (iv) emërimet dhe shkarkimet jo ligjore të zyrtarëve të ndërmarrjeve publike dhe institucione të ndryshme etj”, ka shtuar ai.

Hoti ka lëshuar akuza në drejtim të Veselit e Thaçit se e kanë komplikuar edhe më shumë dialogun me Serbinë duke dhënë deklarata kontradiktore për marrëveshjen e mundshme.

“Ekipi negociator i formuar në dhjetor 2018, Presidenti dhe Kryeparlamentari japin vlerësime kontradiktore për marrëveshjen e mundshme me Serbinë. Njëri thotë se nuk do të ketë ndryshim të kufijve, tjetri se do të bashkohet Lugina e Preshevës. Njëri thotë se do të ketë shkëmbim të territoreve, e tjetri se do të respektohet Kushtetuta”, ka shtuar ai.

Duke folur si lider i LDK’së, Hoti ka shpalosur idetë se çka do të ndodhë më 2019.

“Ne do të intensifikojmë opozitarizmin demokratik sipas filozofisë politike të LDK-së, por nuk do të kursehemi nga përdorimi i çdo mjeti demokratik për të ndalur këtë lloj qeverisjeje të vendit. Ne do të luajmë rol aktiv në koordinimin e opozitës, pasi ky rol i takon LDK-së si partia më e madhe në vend dhe Grupi më i madh Parlamentar në Kuvendin e Kosovës”, ka shtuar ai.

“Ne jemi të vendosur në rrugën tonë si gardianë të shtetit të Kosovës”, ka thënë ai.