Zvarritja e emërimit të anëtarëve të KQZ-së dhe kërkesa e fundit e presidentit të Kosovës Hashim Thaçi që secili subjekt politik shqiptar të dërgoj nga një emër në KQZ, ka bërë që kryetari i LDK-së Isa Mustafa tu shkruaj letër ambasadorëve të Quint-it.
Mustafa përveç që është ankuar tek ambasadorët e shteteve të Quint-it, shqetësimit e subjektit të tij ua ka përcjell edhe OSBE-së dhe Zyrës së BE-së.
“Kryetari LDK-së, Isa Mustafa sot ua ka përcjellë ambasadorëve të shteteve të Quint-it, OSBE-së dhe Zyrës së BE-së në Prishtinë një letër në të cilën ka sqaruar qëndrimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës rreth tendencave të Presidentit Thaçi për zvarritjen e emërimit të anëtarëve të KQZ-së, që nga 27 mars 2018, duke e defunksionalizuar tërësisht këtë institucion kushtetues”, thuhet në njoftimin e LDK-së.
Letra siç bëhet e ditur në njoftim sqaron dhe reagon ndaj tendencës së Presidentit Thaçi, pa baza ligjore e kushtetuese t’i garantojë koalicionit qeverisës, pjesë e të cilit fatkeqësisht Presidenti ende ndihet, shumicë në KQZ duke dëmtuar dhe shkelur të drejtat kushtetuese të LDK-së të cilës i takojnë dy anëtarë në KQZ, e jo vetëm një siç pretendon presidenti Thaçi.
“Në fund kryetari Mustafa njoftoi se LDK-ja është tejet e vendosur të mbrojë të drejtën e saj për përfaqësim adekuat në KQZ në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, dhe në rast të mos materializimit të kësaj të drejte do ta referojë çështjen në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës”, thekson në njoftimin e LDK-së.
Ndryshe për këtë çështje sot gjatë ditës ka reaguar edhe Lëvizja Vetëvendosje, duke e quajtur si të pa pranueshme kërkesën e presidentit që ky subjekt të propozojë vetëm një anëtar për të qenë pjesë e KQZ-së./FaktePlus/