Aktuale

Lëndime trupore, goditje me armë zjarri dhe detaje të tjera nga vrasja e një personi në Prizren

I shtrirë në rrugë dhe pa shenja jete u gjet dje I.S. 49 vjeçar, në fshatin Kuzhnin të Prizrenit. Përveç lëndimeve trupore e shenjave të dhunës dyshohet se në trupin e viktimës u shkrepën edhe disa plumba. Deri më tani askush nuk është arrestuar për këtë rast.

Pas marrjes së informacionit se I.S. (emër i njohur për redaksinë), 49 vjeçar, ndodhej i shtrirë në rrugë, ekipi mjekësor që kishte dalë në vendin e ngjarjes konstatoi se viktima është pa shenja jete.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Admir Shala, tha se rasti në fjalë po hetohet nga organet e hetuesisë dhe deri më tani nuk ka ndonjë të arrestuar.

“Ne jemi tu u marrë me rastin, tu grumbullu informacionet e nevojshme nuk ka ende diçka konkrete. Trupi i viktimës është dërguar në autopisi. Policia është në fazën e grumbullimit të informacioneve, jemi në hapat fillestar të hetimeve. Viktima është rreth 49-50 vjeç”.

Mësohet se viktima ka pasur plagë në këmbë të shkaktuara nga arma e zjarrit. Por, Prokuroria po pret edhe vendimin e mjekësisë ligjore.

Edhe zyrtari për informim në Policinë e Prizrenit, Vesel Gashi, tha se ekipi mjekësor ka dyshuar që në trupin e viktimës ka pasur plagë më armë zjarri.

“Por pa dalë vendimi i mjekësisë ligjore nuk mund të flasim”.

Njoftimi për këtë vrasje u dha sot nëpërmjet raportit 24 orësh të policisë:

“Fshati Kuzhnin-Has, Prizren 20.12.2018-18:02. Raportohet se në rrugë është gjetur pa shenja jete viktima mashkull K-Shqiptar. I njëjti është dërguar në emergjencë, ku nga mjeku kujdestar është konstatuar se i njëjti është pa shenja jete. Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i viktimës dërgohet në IML për obduksion”, njoftoi policia përmes raportit 24 orësh./M.Miftari/Gazeta Express

the authorBurbuqe Metolli